image Dialogu, liberalizimi e anëtarësimi në BE e NATO/ Çfarë mesazhe dha ministrja gjermane sot në Kosovë

Politikë

Dialogu, liberalizimi e anëtarësimi në BE e NATO/ Çfarë mesazhe dha ministrja gjermane sot në Kosovë

news image

Sot në Kosovë ka qënduar për vizitë zyrtare, ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht. Ajo të enjten u takua me kryeministrin Kurti dhe homologun kosovar, Armend Mehaj, shkruan Sinjali.

Pas takimit, Kurti dhe Lambrecht dolën në nj konferencë të përbashkët për media, ku u fol për shumë tema si: liberalizimi i vizave, dialogu Kosovë – Serbi e anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

Kryeministri Kurti, me të nisur konferencën, bëri të ditur se ka kërkuar nga ministrja gjermane mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në organizata rajonale e ndërkombëtare, ndërsa Lambrecht tha se Gjermania e mbështet Kosovën që të anëtarësohet në BE dhe NATO.

Ministrja gjermane tha se përgjatë këtij rrugëtimi, Kosovën e presin shumë pengesa, mirëpo duhet të tejkalohen. Ajo theksoi se shteti gjerman i qëndron afër Kosovës edhe sa i përket mbështetjes ushtarake.

“Gjermania e mbështet shumë qartë në anëtarësimin në BE dhe NATO, por kjo rrugë ka shumë pengesa. Po mundohemi t’i japim një dinamikë këtij procesi dhe pengesat duhet të tejkalohen. Por mbështetja nuk mungon pasi kemi edhe ushtarë”, tha Lambrecht.

Ajo tha se pret vendime të mira në takimin që do të mbahet më 13 maj në Bruksel.

Njëra nga pyetjet që iu bë Kurtit nga gazetarët ishte në lidhje me darkën me Vuçiqin mbrëmë, me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Ai tha se gjatë gjithë kohës i ka mbrojtur interesat e shtetit

“Edhe mbrëmë, si kryeministër i Republikës së Kosovës, kam përfaqësuar vullnetin e popullit, kam mbrojtur interesat e shtetit dhe gjithnjë duke e pasur për dysheme dhe tavan kushtetutshmërinë dhe ligjin e Kosovës. Pavarësisht se a ka darka apo jo, unë i këtillë jam dhe njësoj ndjehem. Me shumë përgjegjësi për detyrën që mbaj dhe me krenarinë për këtë përgjegjësi që më është besuar. E kemi theksuar tash e shumë vite që ne nuk jemi në parim kundër dialogut, por nuk duam dialog pa parime. Në atë darkë nuk kemi pasur gjella të ndryshme dhe ka qenë barazia e palëve. Darka e mbrëmshme ishte darkë pune e organizuar nga kancelari Olaf Scholz”, tha Kurti.

E konferenca nuk përfundoi pa u përmendur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Kurti tha se mënyra e vetme që të ecet përpara, është distancimi i Vuçiqit nga Millosheviqi e Putini, raporton Sinjali.

“Ne duhet të ecim përpara, presidenti i Serbisë duhet të distancohet nga Millosheviqi dhe Putini”, tha ai.

Kryeministri Kurti gjatë kësaj konference, e përsëriti që Kosova ka dënuar agresionin rus në Ukrainë dhe që janë vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Përveç Kurtit, Lambrecht takoi edhe ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në njoftimin e lëshuar nga ministria thuhet se Mehaj e LAmbrecht fillimisht kanë biseduar lidhur me situatën e sigurisë në Kosovës si dhe zhvillimet aktuale të sigurisë në regjion dhe më gjerë, të reflektuara nga agresioni ushtarak i Rusisë mbi Ukrainën.

Lambrecht theksoi se sikurse deri më tani, shteti gjerman do të vazhdojë të ofrojë përkrahje për Republikën e Kosovës. Ajo theksoi se Kosova dhe Gjermania janë partnerë të besueshëm dhe të sinqertë më njëri tjetrin.

/GazetaSinjali/