Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po konsiderohet i dështuar gjatë vitit 2020. Megjithëse ishte proklamuar se mund të jetë vit i marrëveshjes finale, një gjë e tillë nuk u arrit, ani pse u nënshkrua një marrëveshje ndërmjet dy vendeve në Washington. Disa prej partive politike thonë se Kosova e humbi rastin historik për ta arritur njohjen reciproke gjatë vitit të kaluar, ndërsa LDK-ja si parti në pushtet vlerëson se dialogu ka marrë shtytje të madhe në vitin 2020.
Në anën tjetër shoqëria civile edhe të ardhmen e dialogut e shohin si të paqartë, pas zgjedhjeve të reja që pritet të mbahen në fillim të vitit 2021, përcjell kosovapress.
Anëtarja e kryesisë së Vetëvendosjes, Fitore Pacolli ka thënë se dialogu sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia ka dështuar. Ajo shprehet pesimiste edhe për implementimin e marrëveshjes së Washingtonit.
“Dialogu ka dështuar kohë më parë, shumica e marrëveshjeve që janë bërë në fazën e parë kanë dështuar. Nuk janë implementuar shumica nga ana e Serbisë, disa prej anës së Kosovës janë implementuar. Pra nuk ka ndryshuar asgjë në teren, ne konsiderojmë se dialogu sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia ka dështuar, ky dialog nuk e çon Kosovën drejt njohjes dhe anëtarësimit në BE”, thotë Pacolli.
Më kritikë për dialogun shprehen në PDK, ku anëtarja e kryesisë, Blerta Deliu thotë se vendi e ka humbur rastin historik për marrëveshje finale gjatë vitit 2020.
“Si PDK konsiderojmë se e kemi humbur rastin historik për marrëveshje finale në vitin 2020. Është marrëveshja që është proklamuar shumë dhe për të cilën është diskutuar në të gjitha nivelet. Prandaj po e themi edhe tash që konsiderojmë që jemi të vonuar në këtë drejtim, duhet që 2021 të jetë vit kur ne japim fund kësaj maratone të gjatë të diskutimeve të dialogut e cila i ka marrë shumë kohë edhe energji Kosovës dhe duhet njëherë e përgjithmonë për të siguruar marrëveshjen finale të detyrueshme për të dyja palët dhe njohjen e ndërsjellë që është edhe kushti ynë kryesor, pastaj edhe ulëse në OKB”, thotë ajo.
Por në LDK, parti e cila është në pushtet, thonë se procesi i dialogut ka pasur shtytje të madhe vitin e kaluar, ani pse nuk është arritur marrëveshja finale.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh i deputeti i legjislaturës së fundit në Kuvend, Faton Bislimi, thotë se vet marrëveshja e Uashingtonit është historike.
“Ka pasur shtytje të mëdha procesi i dialogut, sidomos vitin e fundit. Marrëveshja e Uashingtonit është marrëveshje historike, nuk them që nuk po implementohen në asnjë moment. Ju e dini që menjëherë ka pasur të paktën dy delegacione të larta shtetërore të përfaqësuara nga shumë agjenci federale të ShBA që kanë qenë në Kosovë dhe Serbi”, tha ai.
Sipas Bislimit, Kosova del përfituese nga marrëveshja e Washingtonit, përkundër çfarëdo kritike që mund t’i bëhet tekstit të marrëveshjes.
“Konkluzionet e marrëveshjes dhe fakti që ne kemi arritur të ulemi në Shtëpinë e Bardhë me Serbinë ka qenë historike për Kosovën në aspektin e përfitimeve që ka marrë Kosova nga kjo marrëveshje”, thotë ai.
Deputetja që udhëheq me Komisionin për Punë të Jashtme, Time Kadrijaj, nga AAK thotë se me marrëveshjen e Washingtonit përfitoi Kosova.
“Së paku ajo çka është arritur në Uashington janë ato marrëveshje ekonomike, të cilat nëse implementohen Kosova përfiton. Por nuk kemi ndonjë marrëveshje që është arritur në Bashkimin Evropian”, thotë ajo.
Ndërsa nga shoqëria civile të vetmen gjë pozitive në vitin 2020 sa i përket dialogut e shohin rikthimin e palëve në tavolinën e diskutimit.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike thotë se në kuadër të dialogut ky vit ishte i diskutimeve, e jo i një rezultati të prekshëm.
“Përpos rikthimit të dy palëve në tavolinën e diskutimeve nuk pamë diçka më markante dhe më të madhe nga ky dialog. U hapën shumë tema, u diskutua për shumë fusha, përfshirë edhe tema teknike të marrëveshjeve të kryera që më herët. Ky vit ishte më shumë vit i diskutimeve, por pa një rezultat të prekshëm. Marrëveshja e Uashingtonit gjithashtu u proklamua si e tillë, por përfundimet nga ajo marrëveshje ishin thuajse minimale, krahasuar me pritjet e palës së Kosovës. Po rikonfirmohet se fundi i dialogut është i paqartë, e ardhmja e tij është e paqartë”, thotë ai.
Gjatë vitit të kaluar pati dy takime fizike mes kryeministrit Hoti e presidentit serb Vuçiq në Bruksel, një në Washington dhe një takim virtual në samitin e Parisit. Ndërsa 6 takime u zhvilluan në nivel të ekspertëve.