image Sekretari gjerman: Do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme që të përmbyllen negociatat Kosovë - Serbi

Politikë

Sekretari gjerman: Do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme që të përmbyllen negociatat Kosovë – Serbi

news image

Miguel Berger, Sekretar i Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Gjermanisë ka thënë se zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt.

“Zgjidhja e konfliktit mes Serbisë dhe Kosovës duhet të arrihet sa më shpejt (…) prandaj përparimi në dialogun e ndërmjetësuar nga BE është shumë i rëndësishëm”, ka thënë ai.

Në një intervistë për Deutsche Welle, sekretari gjerman tha se Lajçak dhe Borrell kanë mbështetjen e plotë të shtetit gjerman për punën që janë duke e bërë në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Ndër të tjerash, Berger tha se për ta përfunduar këtë proces me marrëveshje gjithëpërfshirëse do të nevojitet të bëhen edhe kompromise të dhimbshme.

“I dërguari special i BE -së për dialog, Miroslav Lajçak dhe Përfaqësuesi i Lartë Josep Borrell, kanë mbështetjen tonë të plotë. Ata janë duke bërë pikërisht atë që tani për tani është e drejtë: T’i ulin të dyja palët në bisedime. Në fund, do të nevojiten të bëhen edhe kompromise të dhimbshme, në mënyrë që negociatat të përmbyllen me një marrëveshje gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe detyruese, që do t’u mundësojë të dy vendeve të bashkohen me BE-në”, u shpreh Berger.

Ai ka thënë se përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakusht për dialog sepse bisedimet do të jenë të pamundura.

“Një parakusht i rëndësishëm është që çdo palë të përballet me përgjegjësinë e vet. Përballja me të kaluarën është e mundur vetëm mbi këtë bazë. Unë e theksova këtë edhe në diskutimet e mia në rajon. Sidoqoftë, përballja me të kaluarën nuk duhet të jetë parakushti i dialogut, sepse kështu bisedimet do të jenë të pamundura. Në këndvështrimin tim është e anasjella: Një marrëveshje e suksesshme mes Kosovës dhe Serbisë do ta bënte më të lehtë përballjen me të kaluarën”, tha Berger. 

/GazetaSinjali/