Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell ka paralajmëruar se do të nisë konsultimet me ministrat e vendeve anëtare rreth emërimit të një përfaqësuesi të posaçëm, i cili do të ketë detyrë lehtësimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Nga burimet diplomatike të Radios Evropa e Lirë mësohet se Borrell ka paralajmëruar të hënën planet që ka në takimin e Këshillit të Ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel. Ideja e tij është që në takimin e radhës, mundësisht në muajin mars të bëhet publik propozimi konkret me emrin e personit, të cilit do t’i besohet kjo detyrë. Edhe pse ende nuk konfirmojnë emra burimet diplomatike thonë se ai do të jetë ministri aktual i Jashtëm i Sllovakisë, Miroslav Lajçak.
Borrel dhe Lajçak kanë zhvilluar të hënën një takim biletaral në Bruksel në margjinat e takimit të Këshillit. Një ditë më parë, Borrell ka dhënë sinjale se dialogu politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të nisë shpejt.
Borrell thotë se tani Kosova ka qeveri të re dhe se pret që dialogu të nisë.
“Qeveria e Kosovës është formuar një javë më parë. Kosovarët nuk kanë pasur qeveri dhe nuk kanë mundur që të nisin bisedimet, por tani kanë qeveri”, ka thënë Borrell. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar pas taksës së vënë nga autoritetet e Kosovës në mallrat serbe në nëntor të vitit 2018. Dialogu për normalizim të marrëdhënieve në mes të këtyre dy vendeve ka nisur më 2011 me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian në Bruksel. /Gazeta Sinjali/