Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka biseduar në telefon me Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anthony Blinken.
Blinken dhe Vuçiq kanë biseduar rreth raportit Kosovë-Serbi dhe dëshirës së SHBA-së që të arrihet sa më shpejtë një marrëveshje, njofton Presidenca Serbe.
“Tri temat kyçe të bisedës telefonike ishin çështja e Kosovës dhe dëshira e administratës amerikane për të arritur një zgjidhje sa më të shpejtë, pastaj marrëdhëniet e Republikës së Serbisë me Federatën Ruse, si dhe diversifikimi i burimet energjetike të vendit tonë”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, Vuçiq ia prezantoi sekretarit Blinken pikëpamjet e Serbisë.
“Sekretari i Shtetit, Blinken e informoi presidentin Vuçiq për domosdoshmërinë e arritjes së shpejtë të një marrëveshjeje me Prishtinën dhe presidenti Vuçiq prezantoi pikëpamjet e Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Serbisë.
Po ashtu edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati një bisedë telefonike me Blinken.
Kurti ka thënë se Blinken e ka njoftuar lidhur me progresin në Kosovë, marrëdhëniet me Serbinë si dhe nevojë për intensifikimin e procesit të dialogut drejt një marrëveshjeje përfundimtare të me njohjen reciproke në qendër.