image "Dialogu e njohja reciproke", çka u diskutua në bisedat telefonike mes Kurtit e Escobarit

Politikë

“Dialogu e njohja reciproke”, çka u diskutua në bisedat telefonike mes Kurtit e Escobarit

news image

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, mbrëmë ka njoftuar se ka zhvilluar një bisedë telefonike me emisarin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Kjo bisedë është e dyta brenda dy javëve të fundit.

Biseda që u zhvillua të premten, në fokus kishte zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësinë e paqes dhe stabilitetit në këtë rajon.

Kryeminstri Kurti u shpreh se integrimi i plotë i Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO garanton paqen dhe stabilitetin në rajon dhe Evropë.

Në anë tjetër Escobar tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin Kosovën dhe synimet e saj drejt integrimeve evropiane dhe euro-atlantike.

Po ashtu u diskutua edhe rreth bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të lehtësuara nga Bashkimi Evropian.

Në lidhje me këtë Albin Kurti tha se Kosova angazhohet për një dialog parimor, drejt një marrëveshje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke.

Ndërkaq Escobar u shpreh se ShBA-të e mbështesin këtë proces dhe janë të përkushtuara që të ketë përparim drejt qëllimit final të tij.

Shefi i Qeverisë së Kosovës dhe zyrtari i lartë amerikan e patën një bisedë telefonike edhe më 19 nëntor.

Në këtë bisedë është diskutuar për angazhimin në dialog dhe nevojën për të parë rezultate dhe progres që përqendrohet në njohje reciproke.

“Në një bisedë telefonike me të dërguarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar. Diskutuar për një sërë çështjesh përfshirë reformat demokratike, programin mbi punë dhe drejtësi, angazhimin për dialog dhe nevojën për të parë rezultate dhe progres që përqendrohet në njohje reciproke”.

/GazetaSinjali/