image Dhunë, mbyllje në kafaze e detyrime tjera, dënimet më të ashpra për shkelësit e izolimit në botë

Botë

Pandemia/ Dhunë, mbyllje në kafaze e detyrime tjera, dënimet më të ashpra për shkelësit e izolimit në botë

news image

I ndaluar pa maskë; jashtë shtëpisë pa asnjë motiv ose në shoqërinë e miqve. Këto shkelje të izolimit mund t’iu kushtojnë shumë shtrenjtë. Policia në disa vende ka zbatuar ndëshkime që parashikojnë poshtërim dhe dhimbje, në mënyrë që karantina të respektohej, shpesh me pëlqimin e qeverive.

Shkelësit janë detyruar të kërcejnë në ajër duke bërtitur “duhet të qëndroj në shtëpi”, kanë bërë ushtrime palestre dhe pozicione joga të improvizuara. Këto janë disa nga ndëshkimet më absurde për të cilat ka prova filmike në internet, të cilat janë bërë virale mes të qeshurave dhe duartrokitjeve, raporton A2, CNN.

Por, në këtë situatë nuk ka asgjë për të qeshur. Në rastet më të këqija, autoritetet kanë lejuar përdorimin e shkopit të gomës deri në një nivel të patolerueshëm. Në Kenia, një 13-vjeçar është vrarë nga përdorimi i tepërt i dhunës. Ai po përpiqej të kapte tragetin e fundit për t’u kthyer në shtëpi dhe të respektonte rregullat. Shefi i policisë dha dorëheqjen dhe Presidenti i vendit kërkoi falje, por ai nuk është më.

Gjendja e emergjencës së shpallur për shkak të koronavirusit në shumë vende të botës që prej dy muajsh, i ka mundësuar policisë një pushtet të fuqishëm për të mundësuar zbatimin e masave kufizuese. Pavarësisht “syve” të paktë në rrugë për të dëshmuar, në internet janë shfaqur xhirime që tregojnë brutalitetin e forcave të rendit. Vendet më të dalluara për shkelje të të drejtave të njeriut janë India, Filipinet, El Salvadori dhe Kenia. Pamje tepër shokuese erdhën nga El Salvadori, teksa dhjetra të arrestuar, gjysmë të zhveshur, u futën në një qeli dhe u detyruan të qëndronin në dysheme. Imazhet janë publikuar nga Presidenti i vendit, i cili shprehet krenar për këtë sjellje të autoriteteve.

Në Indi janë dëshmuar ndëshkime nga më të çuditshmet, nga goditjet me shkop gome, deri tek dezinfektimi i shkelësve të karantinës me detergjent të dëmshëm për njeriun. Një shembull tjetër mizor është vendosja e disa të rinjve që kishin thyer izolimin, brenda një ambulance ku gjendej një i infektuar me koronavirus. Përpjekjet dëshpëruese të tyre për të dalë nga automjeti janë tepër të trishta.  

Në Filipine ndëshkimet ishin edhe më tepër mizore. Shkelësit e karantinës janë vendosur në kafaze për kafshët, në një metodë të cilën policia e konsideron mësim për mosrespektimin e ligjit. Në shumicën e rasteve, autoritetet e këtyre shteteve kanë lavdëruar përdorimin e tepruar të forcës nga policia. /Gazeta Sinjali/