image DhSK: Mbrojtja nuk vërtetoi se përbën shqetësim serioz shëndeti dhe mosha e 9 dëshmitarëve

Drejtësi

DhSK: Mbrojtja nuk vërtetoi se përbën shqetësim serioz shëndeti dhe mosha e 9 dëshmitarëve

news image

Dhomat e Specializuara të Kosovës, kanë njoftuar lidhur me zhvillimet më të fundit në Gjykatë, ku Gjykatësi i Procedurës Paraprake hodhi poshtë kërkesën e Thaçit për të dëgjuar dëshminë e 9 dëshmitarëve para fillimit të gjykimit.

Zëdhënëse e DHSK-së Angela Griep, theksoi se në çështjen gjyqësore Thaçi dhe të tjerë, gjykatësi i Procedurës Paraprake dje, më 30 nëntor, njoftoi zyrtarisht Kryetaren e Dhomave të Specializuara të Kosovës se çështja do të jetë gati për t’iu kaluar Trupit Gjykues të enjten, më 15 dhjetor 2022.

Më tej Griep tha se pas njoftimit të gjykatësit të Procedurës Paraprake, Kryetarja po atë ditë caktoi Trupin Gjykues II për çështjen gjyqësore, i përbërë prej gjykatësve Çarls Smith, Kristof Barte, Ginel Metro dhe Fergal Gejnor, si gjykatës rezervë.

“Më 28 nëntor, Gjykatësi i Procedurës Paraprake hodhi poshtë kërkesën e Thaçit për të dëgjuar dëshminë e 9 dëshmitarëve para fillimit të gjykimit”, tha zëdhënësja e DhSK-së.

Griep theksoi më tej se gjykatësi i Procedurës Paraprake konstatoi se mbrojtja nuk vërtetoi se gjendja shëndetësore e këtyre dëshmitarëve përbën shqetësim serioz, duke theksuar se thjesht mosha nuk mjafton për të besuar se dëshmitë nuk do të jenë të disponueshme gjatë paraqitjes së provave nga mbrojtja.

Ajo më tej shtoi se gjykatësi i Procedurës Paraprake vuri në dukje se çështja gjyqësore do t’i kalohet Trupit Gjykues shumë kohë para shkurtit, që është koha kur Mbrojtja e Thaçit kërkoi që të dëgjohen dëshmitarët.

Në të njëjtën çështje gjyqësore, kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit për të vendosur mbi apelet e z. Thaçi dhe z. Selimi kundër vendimit të Gjykatësit të Procedurës Paraprake me të cilin autorizoi Prokurorinë të ndryshonte listën e dëshmitarëve dhe të provave materiale. Paneli i Apelit që u caktua për të vendosur mbi këto apele përbëhet prej gjykatësve Mishelë Pikar, Emilio Gati dhe Nina Jorgensen.

/GazetaSinjali/