Gjykata Speciale ka konfirmuar për Gazetën Sinjali kthimin e Kadri Veselit në Kosovë.
Lirimi i tij u bë me kusht.
“Për shkak të arsyeve bindëse humanitare, gjyqtari i procedurës paraprake ka udhëzuar Zyrën e Regjistrimit që të menaxhojë një vizitë kujdestarie të Veselit në Kosovë, për ta takuar familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim të Dhomave të Specializuara. EULEX dhe Policia e Kosovës po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës”, tha për Sinjalin zëdhënësja Angela Griep.
Ndërkohë, edhe një burim i Sinjalit brenda EULEX-it, ka thënë se Policia e EULEX-it bashkë me Policinë e Kosovës, po mbështesin Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Sinjali më herët raportoi se Veseli, ka ardhur për një vizitë në Spitalin e Mitrovicës, ku është shtrirë babai i tij.
Ndaj ish-kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimi dhe ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit rëndojnë akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Krimet pretendohet se janë kryer në disa lokacione të Kosovës dhe në veri të Shqipërisë, përkatësisht në Kukës dhe Cahan.