Të paktën 12 persona kanë vdekur dhe 10 të tjerë janë zhdukur pasi katër varka me 120 emigrantë afrikanë dhe refugjatë u mbytën pranë Tunizisë teksa po përpiqeshin të kalonin Mesdheun për në Itali, tha një zyrtar i sigurisë për Reuters.
Ali Aayari, një nënkolonel në Rojet Bregdetare Tuniziane, shtoi se 98 persona u shpëtuan në brigjet e Sfax.
Vija bregdetare e Sfax-it është bërë një pikënisje kryesore për njerëzit që ikin nga konflikti dhe varfëria në Afrikë dhe Lindjen e Mesme dhe që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë.
Ministria e Brendshme tha këtë javë se kishte arrestuar më shumë se 20 mijë emigrantë dhe refugjatë në brigjet e saj vitin e kaluar. Të paktën 15 mijë arritën në brigjet e Italisë në vitin 2021.
Në muajt e fundit, dhjetëra njerëz janë mbytur në brigjet e Tunizisë, me një rritje të frekuencës së tentativave për kalime nga Tunizia dhe Libia drejt Italisë.
Qindra mijëra njerëz kanë bërë kalimin e rrezikshëm të Mesdheut vitet e fundit.
Shifrat nga Komisioneri i Lartë i OKB-së për Refugjatët (UNHCR) treguan se më shumë se 123 mijë emigrantë mbërritën në Itali në vitin 2021, krahasuar me më shumë se 95 mijë në 2020.