26 palestinezë mbetën të plagosur si pasojë e të shtënave me armë nga Izraeli përfshirë edhe një 13 vjeçar i cili u qëllua në kokë, thanë zyrtarët shëndetësorë.
Kjo ndodhi derisa protestuesit hodhën gurë dhe dogjën goma gjatë një demonstrate përgjatë gardhit kufitar me Izraelin.
Protesta e së shtunës për të shënuar ngjarjen e 52 vjetëve më parë kur u dogj Xhamia Al-Aksa në Jerusalem, vendi i tretë më i shenjtë në Islam, ishte thirrur nga Hamasi, i cili udhëheq në Gaza.
“Xhamia Al-Aksa është një vijë e kuqe dhe çdo sulm ndaj saj do të ndeshet me rezistencë të fortë nga populli ynë”, tha lëvizja në një deklaratë, shkruan Al Jazeera.
Fraksionet palestineze bënë thirrje për një përkujtim paqësor, pasi qindra palestinezë u drejtuan drejt kampit të refugjatëve Malaka, vendi më i madh për protestat e Marshit të Madh të Kthimit 2018-19 në lindje të Rripit të Gazës, tha Youmna al-Sayed e Al Jazeera. /GazetaSinjali/