image Dhjetë ish-qeveritarët që vazhdojnë ta marrin pagën e plotë pa punuar

Kosovë

Politikë/ Dhjetë ish-qeveritarët që vazhdojnë ta marrin pagën e plotë pa punuar

news image

Kalimi në listën tepricë nuk i ka prekur pagat e 10-të ish-sekretarëve të ministrive të prekura nga riorganizimi i dikastereve qeveritare. Edhe pse Rregullorja për nëpunësit civilë parasheh që pagesa të jetë 70 për qind e pagës bazë deri në një vit, nëse nëpunësi civil nuk ricaktohet në pozitë tjetër, ata janë paguar me pagë të plotë për muajt mars dhe prill.

Për çështjen e pagesave ka pasur kundërshtime në mes opinioneve të Zyrës Ligjore të Zyrës së Kryeministrit dhe asaj të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike. E ish-sekretarët kanë kërkuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, që t’i sistemojë ata në pozita ekuivalente, raporton Koha.

Zyrtarët që përfunduan në listën tepricë nga vendimi i 19 shkurtit janë: Fitim Sadiku, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ekrem Kastrati, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Hajriz Koca, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministri të Inovacionit, Naim Baftiu, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Financave, Lulzim Ejupi, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Arton Berisha, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Administratës Publike, Nazmi Zenelaj, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Burim Rraci, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Arben Çitaku, ish-sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe Betim Reçica, ish-sekretar i përgjithshëm Ministrinë e Infrastrukturës dhe Transportit. Të gjithë këta marrin paga mujore më të larta se 1 mijë euro.

Në korrespodenca të siguruara nga gazeta, Zyra Ligjore e Zyrës së Kryeministrit ka kërkuar që të veprohet në bazë të Rregullores për nëpunësit civilë tepricë, përkatësisht me nenin 4 të kësaj rregulloreje. /Gazeta Sinjali/