image Dhimbje e lot, i jepet lamtumira e fundit 8-vjeçarit që u vra në Fier

Shqipëri

Dhimbje e lot, i jepet lamtumira e fundit 8-vjeçarit që u vra në Fier

news image

Mes dhimbjes dhe lotëve është varrosur sot 8-vjeçari Mateo Vasiu i cili është gjetur i mbuluar me baltë, pa shenja jete në oborrin e shtëpisë së të dyshuarit, 38-vjeçarit Klodian Çalamani, në fshatin Grecalli të Fierit.

Çalamani u arrestua ditën e djeshme, ndërsa para hetuesve ka pranuar krimin. Ai ka pohuar se e ka goditur me lopatë vogëlushin dhe më pas e groposi në oborrin e banesës së tij.

Të pranishëm në ceremoninë mortore të të ndjerit janë deputeti Taulant Balla dhe kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, shkruan abcnews.

Si ndodhi ngjarja e rëndë?

Dje vogëlushi së bashku me vëllain e tij 14 vjeçar nuk kishin shkuar në shkollë. Pasdite nëna e tyre Florida Vasiu, pasi ishte kthyer nga puna vuri re mungesën e të birit dhe nisi ta kërkonte në lagje. Pa arritur ta gjente ajo shkoi në polici për të denoncuar humbjen e vogëlushit.

Dyshimet e banorëve, të cilët e kishin parë fëmijën duke përdorur biçikletën e 38-vjeçarit Klodian Çalamani e çuan policinë të kontrollonte banesën e tij.

Autori fillimisht nuk e pranoi krimin por më pas është “thyer” përpara hetuesve duke pranuar vrasjen dhe treguar vendin ku e kishte groposur. 8-vjeçari u gjet i pajetë dhe i mbuluar me baltë në oborrin e shtëpisë së Çalamanit.

Autori është shprehur se pasi fëmijës i kishte dhënë biçikletën ta përdorte, 8-vjeçari, sipas tij e kishte sharë. Ky ka qenë sipas tij edhe motivi për të cilën ai e kishte goditur të miturin me lopatë në kokë dhe në trup.

E gjithë kjo ndodhi në portën e shtëpisë së tij. Më pas Klodian Çalamani e ka zhvendosur trupin e pajetë të vogëlushit në oborr ku dhe e ka groposur.

Disa tregojnë se 38-vjeçari, jetonte i vetëm dhe nuk punonte rregullisht. Shpesh ai shihej i dehur në fshat. Klodian Çalamani ka qenë i dënuar edhe më parë për rrëmbim personi.

Në vitin 2006, së bashku me shokun e ti Florian Vasiu, që është edhe xhaxhai i fëmijës së vrarë, kishin marrë peng një 16-vjeçare të cilën e torturuan dhe e kërcënuan.

Ata u dënuan nga Gjykata e Fierit me nga katër vite burg me akuzën  për rrëmbim. Pas vuajtjes së dënimit ai ishte rikthyer në fshatin Grecalli të Fierit duke kryer krimin e radhës.

/GazetaSinjali/