image Dezinsektimi hapësinor në Gjilan fillon në këtë datë

Kosovë

Dezinsektimi hapësinor në Gjilan fillon në këtë datë

news image

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se më 30 qershor fillon faza e parë e dezinsektimit hapësinor në këtë komunë, shkruan Gazeta Sinjali.

Lajmi u bë i ditur në faqen zyrtare të kësaj komune në Facebook.

Ky dezinsektim është paraparë të bëhet në tri faza. Faza e parë do të fillojë më 30 qershor nga ora 19:00 deri në ora 24:00.

“Komuna e Gjilanit ka bërë të gjitha përgatitjet për të filluar faza e parë e dëzinfektimit hapësinor dhe kështu edhe këtë vit është paraparë që ky projekt të bëhet në tri faza. Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, e cila menaxhon me këtë projekt ka konfirmuar se të gjitha përgatitjet janë bërë që faza e parë të nisë me datën 30.06.2020 në ora 19:30 deri në orën 24:00”, thuhet në njoftim.

Gjatë kohës së dezinsektimit, komuna ka apeluar që qytetarët t’i mbajnë dritaret e mbyllura, që mos të futen insektet brenda, sikurse një kujdes i veçantë duhet të kenë edhe bletarët.

Derisa, bletarët kërkohet që të kenë kujdes të shtuar dhe t’i mbajnë të mbyllura bletët prej orës 19:30 deri 05:00 të mëngjesit gjatë këtyre ditëve për shkaqe sigurie.

Dezinsektimi bëhet e ditur se fillon nga lagja ,,Zabeli’’, përkatësisht nga kolektori i cili zakonisht është burim i mushkonjave dhe insekteve tjera, për të vazhduar përgjatë lumit Mirusha në të dy anët e tij deri në qendër të qytetit, po ashtu njoftohet se do të përfshihet lagjja “Reshat Ymeri”, Dheu i Bardhë.

Ky proces do të vazhdojë në lagjet e tjera: “Dardania”, “Kodra e Dëshmorve”, “Bregu i Djegur”, si dhe tërë lagjet e hapësirat e tjera të qytetit.

“Këtë vit janë të përfshira edhe zonat rurale ku ka potencial të lartë të zhvillimit të këtyre insekteve, sidomos rreth lumenjëve të fshatrave Malishevë, Uglarë, Pogragjë, Dobërcan, Përlepnicë, Livoqi i Epërm, Livoqi i Ulët, Cërrnicë, Lladovë, Zhegër, Llashticë dhe Velekincë”, përfundon njoftimi i komunës./Gazeta Sinjali/