Shefi i diplomacisë greke Nikos Dendias i ka cilësuar çmenduri pretendimet e Turqisë në lidhje me ishujt përballë tokës turke. Më herët, Erdogan dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Çavusoglu thanë se nëse Greqia nuk i demilitarizon ata ishuj, atëhere turqve iu lind e drejta të rishikojnë sovranitetin e tyre.
Kjo ishte në deklaratë bombë për Greqinë, pasi turqit theksonin se kishin pretendime territoriale mbi ishujt grekë.
Nisur nga situata e krijuar si edhe tensionet e larta në Egje, Nikos Dendias ka marrë pikërisht rastin e Shqipërisë si shembull të mirë të zgjidhjes së problemeve me detin mes fqinjëve. Në një intervistë për gazetën greke “Parapolitika”, Dendias zbulon edhe detaje nga vizita e fundit në Tiranë, raporton abcnews.al.
“Në vizitën e fundit timen në Tiranë diskutuam se mund t’i përshpejtojmë proceset ligjore në drejtim të zgjidhjes së çështjes së detit”, tha Dendias duke iu referuar vizitës në Tiranë.
Më tej ai vazhdoi “Me Shqipërinë ne japim një shembull të qartë për të gjitha shtetet e rajonit më të gjerë se si duhet të zgjidhen mosmarrëveshjet midis shteteve. Gjithmonë, bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe veçanërisht të drejtën e detit“.
Ndërkohë që thoshte këto për vendin tonë, shefi i diplomacisë greke theksoi edhe njëherë qendrimin e Greqisë në lidhje me Çështjen Çame. “Ministria jonë e Jashtme diskuton vetëm mbi çështje që ekzistojnë dhe jo mbi situata joekzistuese”, tha Dendias duke mohuar kështu Çështjen Çame, ndërkohë që përpiqet të shtojë se këtë parim Greqia e ka edhe me fqinjët e tjerë, raporton abcnews.al.
Gjatë vizitës së fundit në Tiranë, Dendias ishte i prerë sa i përket Çështjes Çame, duke paralajmëruar Shqipërinë se hapja e çështjeve që nuk ekzistojnë (sipas Greqisë) do të dëmtonte rrugëtimin e Shqipërisë në BE.