image Detaje të reja për vrasjen e 22-vjeçarit/ Çka gjeti Policia në oborrin e të dyshuarit

Shqipëri

Detaje të reja për vrasjen e 22-vjeçarit/ Çka gjeti Policia në oborrin e të dyshuarit

news image

I dyshuari për vrasjen e Xhuliano Bullarit, natën e 20 gushtit, 39-vjeçari Bledar Selmanaj, është arrestuar mbrëmë nga policia e Tiranës pasi dyshohet për vrasjen e të riut, në fshatin Babicë të Vlorës.

39-vjeçari u arrestua në zonën e ish-bllokut në kryeqytet mbrëmjen e së martës.

Policia ka njoftuar se gjatë arrestimit, Selmanajt iu gjet një pistoletë dhe 10 fishekë, kurse gjatë kontrollit në banesën e tij në Vlorë iu gjet e groposur në një oborr, një pistoletë me karikator me nëntë fishekë, me të cilën dyshohet se ai e ka kryer vrasjen e 22-vjeçarit.

Gjithashtu janë sekuestruar edhe disa veshje, të cilat dyshohen se janë përdorur nga i dyshuari gjatë vrasjes. Policia thotë se viktima dhe autori kishin pasur njohje në të kaluarën dhe se vrasja ka ndodhur për motive të dobëta.

Në gjetjen e të dyshuarit për vrasje kanë qenë zbardhja e telefonatave dhe mesazheve të gjetura në telefonin e viktimës.

39-vjeçari Bledar Selmanaj është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Pak vite më parë ai u arrestua për një sërë vjedhjesh të banesave dhe grabitjeve në Tiranë.

Ai tashmë do të akuzohet për veprat penale “Vrasje me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”. /GazetaSinjali/