image Dosja e Prokurorisë: 50-vjeçari u qëllua me 17 plumba derisa ishte duke pirë kafe

Drejtësi

Dosja e Prokurorisë: 50-vjeçari u qëllua me 17 plumba derisa ishte duke pirë kafe

news image

Faton Osmani, Gëzim Bajrami dhe Irfan Veseli janë tre personat e arrestuar të cilët dyshohen për vrasjen e 50-vjeçarit Bakush Veseli, në Gjilan.

Gazeta Sinjali ka mësuar se Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar paraburgimin e të dyshuarve.

Në kërkesën e Gjykatës tregohet se të pandehurit me datën 12 qershor 2021 rreth orës 19:45 pas një përgatitje paraprake në bashkëveprim kanë privuar nga jeta të ndjerin Bakush Veseli dhe kanë vënë në rrezik jetën e personave tjerë që gjendeshin afër tij.

Sinjali ka mësuar se të dyshuarit së bashku kanë ardhur me një veturë të markës ‘’Audi A3’’ dhe janë ndalë tek një market, ku nga aty të armatosur kanë dalë dy nga të pandehurit dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, i afrohen të ndjerit, i cili ishte ulur në një kafiteri në Gjilan, të cilët pastaj kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.

Tutje Sinjali ka mësuar se të dyshuarit kanë qenë të armatosur me armë, njëri ka pasur revole të kalibrit 9mm kurse tjetri të kalibrit 7,65mm.

Gazeta Sinjali nga burimet ka mësuar se dy nga të dyshuarit me të arritur në vendin e ngjarjes, i janë afruar tashmë të ndjerit Bakush Veseli dhe në një largësi prej rreth gjysmë metër, i pari që ka shtënë është i dyshuari që posedonte revolen e kalibrit 9mm.

Sinjali ka mësuar se ky i dyshuar ka zbrazur tetë fishekë në drejtim të viktimës. Kurse i dyshuari tjetër ka gjuajtur të pandehurin me 9 fishekë.

Sinjali ka mësuar se Bakush Veseli nga plumbat e shkrepur në drejtim të tij është goditur në pjesët më vitale të trupit, me ç’rast ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.

Kurse të dyshuarit janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe kanë shkuar në shtëpitë e tyre.

Sinjali ka kuptuar po ashtu se Lirim Jakupi, i cili u arrestua mbrëmë nga policia lidhur me këtë rast, është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. /Gazeta Sinjali/