image Detaje nga takimi Thaçi-Grenell, u fol për marrëveshjen finale me Serbinë - Sinjali

Diskutimi/ Detaje nga takimi Thaçi-Grenell, u fol për marrëveshjen finale me Serbinë

news image

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot ka pritur në takim emisarin e dërguar nga SHBA-ja si ndërmjetës në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Sipas një komunikate të lëshuar nga Presidenca, në ketë takim u fol edhe për marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Që nga viti 2008, nuk ka pasur kaq vëmendje të SHBA-së për Kosovën”, u shpreh presidenti Thaçi dhe shtoi se “kjo shton konfidencën dhe besimin tonë në kërkimin e Marrëveshjes së Paqes me Serbinë”, citohet ai në komunikatë.

Sipas Presidencës, në këtë takim u tha se Marrëveshja e Paqes në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i kontribuonte zhvillimit të Kosovës dhe tërë rajonit.

Ambasadori Richard Grenell, Përfaqësues Special i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se shpreson se Kosova dhe Serbia do të takohen së shpejti dhe do të gjejnë një zgjidhje.

Ai ka theksuar se një marrëveshje ndërmjet dy shteteve do të vë themelin për rritje ekonomike dhe do të kontribuojë për mirëqenien e gjithë qytetarëve.

Thaçi ka thënë se Republika e Kosovës do të jetë konstruktive në gjetjen e një zgjedhjeje, e cila do t’i hapë rrugë zhvillimit dhe ka shtuar se “pjesëmarrja aktive e SHBA-së në gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë përcaktuese”. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin