image Detaje ekskluzive sesi ndodhi plagosja dje në Pejë - Sinjali

Detaje ekskluzive sesi ndodhi plagosja dje në Pejë

news image

Dje në mes të ditës ndodhi një plagosje me armë zjarri në Pejë, ku si pasojë mbetën të plagosur dy persona, njëri prej tyre kalimtar rasti. Për këtë rast, sinjalizues të Gazetës Sinjali, kanë bërë të ditur se policia ka arrestuar dy të dyshuar, N.L., dhe Q.L., kurse personi që dyshohet se shtiu me armë zjarri, është djali i të dyshuarit N.L., me inicialet F.L., shkruan Gazeta Sinjali.

Policia ka hapur rast si “vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, derisa i dyshuari për plagosje gjendet në arrati.

Por si ndodhi e gjithë ngjarja?

Sinjalizues të Gazetës Sinjali, kanë bërë të ditur se njëri nga të plagosurit (emër i njohur për redaksinë), kishte njoftuar dy zyrtarët policorë, të cilët kishin arritur në vendngjarje se kishte pasur një problem me të dyshuarin N.L., i cili në ato momente kishte filluar të ikte.

Të njëjtit sinjalizues, tregojnë se pasi zyrtarët policorë e kanë parë N.L., duke ikur në drejtim të oborrit të Fakultetit të Biznesit, kanë filluar të ndjekin të dyshuarin dhe po ashtu kanë kërkuar ndihmë nga një patrullë policore, që t’i asistojë.

Derisa Policia ndjekte të dyshuarin, i njëjti kishte vendosur që të shkojë në drejtim të zyrtarëve policorë, ku në ato momente, papritmas, sipas sinjalizuesve, një person kishte goditur viktimën nga mbrapa dhe kishte arritur të ikte nga vendi i ngjarjes, duke shfrytëzuar tollovinë që ishte krijuar.

Të njëjtit sinjalizues bëjnë me dije se në ato momente janë dëgjuar 3-4 të shtëna me armë zjarri në drejtim të viktimës (emër i njohur për redaksinë), i cili është rrëzuar në tokë.

Ndërkohë, Policia kishte arritur ta arrestojë të dyshuarin N.L., por edhe pas disa përpjekjeve nuk arriti ta identifikojë personin që plagosi viktimën me armë zjarri, i cili, sipas sinjalizuesve është djali i të dyshuarit N.L, me inicialet F.L.

Pas kësaj situate të krijuar, sinjalizuesit bëjnë me dije se zyrtarët policorë kërkuan asistencë edhe nga njësitet tjera policore si dhe kanë njoftuar ndihmën e shpejtë për ta dërguar viktimën në spital.

Sinjalizuesit tregojnë se viktima u detyrua të dërgohej në spital me veturë private, pasi që, ndihma e shpejtë nuk arriti në vendin e ngjarjes me kohë, ku përveç tij, në Spitalin Rajonal të Pejës u dërgua edhe personi tjetër që u plagos, pasi ishte kalimtar rasti në kohën kur ndodhi ngjarja.

Përderisa ata u dërguan për trajtim mjekësor, në vendngjarje, kishin arritur edhe njësitet tjera policore si dhe një njësi speciale operative (NJSO) e Mitrovicës.

Për këtë rast, u njoftua edhe prokurori i shtetit, i cili doli në vendin e ngjarjes, ndërkohë aty arritën edhe hetuesit policorë.

Sinjalizuesit e Gazetës Sinjali njoftojnë se pasi erdhën edhe hetuesit, Policia ka kërkuar për kamera të sigurisë, në mënyrë që të hetojnë rastin sesi erdhi deri te plagosja, mirëpo, zyrtarët policorë nuk kanë arritur të identifikojnë ndonjë të tillë.

Më pas, me vendim të prokurorit, është bastisur lokali i të dyshuarit N.L., i cili sipas sinjalizuesve kishte kamera të sigurisë, por dyshohet se dikush me qëllim e ka këputur kabllon, përmes së cilës ka pasur mundësi të kthehen pamjet.

Në vendin e ngjarjes, janë gjetur dhe konfiskuar 3 gëzhoja dhe një predhë e një arme.

Përveç, N.L., Policia si të dyshuar ka arrestuar edhe Q.L., si të dyshuar për këtë rast.

Sinjalizuesit njoftojnë se policia ka marrë informacione se i dyshuari i mundshëm për të shtënat me armë është F.L.

Ndërkaq viktima është plagosur në këmbë dhe është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Ky rast është hapur si “vrasje në tentativë” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, derisa i dyshuari  F.L., ndodhet në arrati.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin