image Detaje ekskluzive nga suspendimi i 3 zyrtarëve policorë në Drenas, të përfshirë edhe familjarët e nënkolonelit

Siguri

Detaje ekskluzive nga suspendimi i 3 zyrtarëve policorë në Drenas, të përfshirë edhe familjarët e nënkolonelit

news image

Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se Inspektorati Policor i Kosovës ka kërkuar suspendimin e nënkolonelit Valdet Bujupit, rreshterit Bajram Selimit dhe policit Shemsi Morina, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, raporton Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka arritur që të sigurojë detaje ekskluzive për veprat të cilat dyshohen zyrtarët në fjalë dhe për përfshirjen e familjarëve të nënkolonelit në këtë rast.

Sinjali ka mësuar se Valdet Bujupi dyshohet se që nga muaji tetor i vitit 2020 e deri në qershor të këtij viti, ka keqpërdorur në vazhdimësi pozitën e tij prej nënkoloneli dhe zëvendëskryesuesit të Komisionit për Ankesa në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Për më tepër, Sinjali merr vesh se në këto veprime të ndryshme inkriminuese të nënkolonel Bujupit janë të përfshirë edhe familjarët e tij, konkretisht djali i tij, Adion Bujupi, i cili është i mitur, pastaj nipat e tij: Ermir Bujupi dhe Arian Bujupi (dy djemtë e vëllezërve), si dhe anëtarët e tjerë të familjes së tij.

Ndërkaq, Gazeta Sinjali ka arritur të kuptojë se rreshteri Bajram Selimi dhe polici Shemsi Morina, dyshohet se kanë përdorur detyrën e tyre zyrtare, për t’i kryer favore nënkolonelit Valdet Bujupi dhe familjarëve të tij të dyshuar për disa vepra penale.

Aty dyshohen se më 13 maj të këtij viti, nuk kanë raportuar provat dhe faktet për të cilat kanë qenë në dijeni gjatë kryerjes së detyrës zyrtare në vendin e ngjarjes afër punishtes IP Kos, në fshatin Arllat të Drenasit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/