Gazeta Sinjali pak më parë ka raportuar për aksionin e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në komunën e Zveçanit, në vendin e quajtur Zirovnicë, ku ka zbuluar një laborator ku kultivohet marihuana.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Antidroga në asistim të hetimeve rajonale në Mitrovicë të Veriut sot rreth orës 11:00 kanë bastisur një shtëpi në fshatin Kremestak në Zveçan, ku në katin e parë kanë hasur në bimë të dyshuara narkotike të llojit kanabis të cilat ishin të gatshme për treg.
Gjatë këtij aksioni janë kapur katër persona të dyshuar, të cilët sipas burimeve, fillimisht kanë tentuar të ikin.
Sinjali mëson se nga ky aksion janë sekuestruar 15 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, mbi 800 bimë të dyshuara kanabis duke u tharë për t’u bërë e gatshme për treg dhe mbi 1500 bimë të reja të dyshuara kanabis.
Po ashtu janë sekuestruar edhe telefona mobil, 150 euro para të gatshme, 5 palë gërshërë, sistem i ventilimit, mbi 160 drita ndriçimi për kultivim, mbi 120 trafo për furnizim me energji dhe rreth 3 mijë saksi për kultivim.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, me urdhër të së cilit personat e dyshuar janë dërguar në ndalim për 48 orë.