image Dështon përsëri Rimëkëmbja Ekonomike, Gashi: Lista Serbe nuk po vjen në seancë

Kosovë

Dështon përsëri Rimëkëmbja Ekonomike, Gashi: Lista Serbe nuk po vjen në seancë

news image

Shefi i Grupit Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se Lista Serbe që është partner në koalicionin qeverisës nuk ka marrë pjesë në seancë dhe rrjedhimisht nuk ka pasur kuorum për zhvillimin e seancës së jashtëzakonshme për Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, shkruan Gazeta Sinjali.

Gashi ka kërkuar që të gjithë deputetët të shkojnë në seancë dhe siç tha ai “t’i kryejnë detyrat e tyre kushtetuese”. Sipas tij, një pjesë e opozitës dhe një pjesë e koalicionit qeverisës po bëjnë veprime obstruktive.

“Ne sot tentuam që të mbajmë seancën e jashtëzakonshme për leximin e dytë të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, mbajtja e kësaj seance u pamundësua nga një pjesë e partnerëve të koalicioni dhe nga veprimet obstruktive të opozitës. Nuk po vjen Lista Serbe në seancë. Kërkoj që të gjithë deputetët e Kosovës të vijnë dhe t’i kryejnë detyrat e veta kushtetuese. Një pjesë e opozitës dhe koalicioni qeverisës po bëjnë veprime obstruktive”, ka thënë Gashi.

Tutje Gashi ka thënë se qytetarët do ta kenë shumë vështirë që ta përballojnë një mbyllje të dytë.

“Unë mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm, ekonomia dhe qytetarët do ta kenë shumë vështirë ta përjetojnë edhe një mbyllje. Mbetet të koordinohet me të gjitha palët dhe kur është më e mundshme që të mbahet një seancë e suksesshme, sepse kosovarët do të përballen me një dimër të ftohtë”, ka thënë Gashi.

Gashi ka shtuar se nuk ka përçarje në koalicion sa i përket presidentit, pasi që thotë se partnerët nuk kanë një marrëveshje për këtë post.

“Qeveria është në detyrë dhe ka legjitimitetin e plotë që të veprojë në interes të qytetarëve. Ky koalicion nuk ka marrëveshje për presidentin dhe nuk ka përçarje për këtë çështje”, tha ai para gazetarëve./Gazeta Sinjali/