Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tashmë e ka zyrtarizuar se do të jetë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor në Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Pasi kandidatura e tij u zyrtarizua, në publik pati shumë reagime lidhur me gjendjen e ministrisë të cilën ai e udhëheqë, pikërisht në këtë kohë kur Kosova po shënon shifra alarmante të rasteve të reja me koronavirus.
Gazeta Sinjali ka pyetur lexuesit e saj në Facebook, se në cilën pozitë do të duhej të ishte Vitia, si ministër i Shëndetësisë apo si kryetar i Prishtinës. Qytetarët pothuajse në shumicën e komenteve e kanë kritikuar Vitinë për menaxhimin e pandemisë por edhe për kandidaturën e tij për kryeqytetin.
Në disa komente, dikush thotë se Vitia po kandidon për kryetar, pikërisht në kohën kur është kulmi i pandemisë në Kosovë.
Dikush tjetër shkruan se pozitia e Vitisë është vetëm për ‘rekord të zi’, por jo edhe për ta menaxhuar Prishtinën.
E një qytetar tjetër i mllefosur thotë se për karrige po ‘menaxhohet’ vendi mjaft mirë, por jo edhe pandemia.
Vitia është shprehur i bindur që do të jetë fitues i garës për kryetar të Prishtinës, në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, shkruan Gazeta Sinjali.
Pas gjendjes alarmante me raste të reja me COVID-19, ministri Vitia në një deklarim para mediave tha se 17 tetori nuk do ta gjejë më në udhëheqje si ministër i Shëndetësisë, pas kandidimit të tij për kryetar të komunë së Prishtinës, por deri atëherë ai tha se do jap maksimumin e tij.