image Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës, të hënën e ardhshme

Drejtësi

Dëshmitari i parë kundër Salih Mustafës, të hënën e ardhshme

news image

Të hënën e ardhshme do të vazhdojë gjykimi për krime lufte ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, ku do të fillohet me deklaratat e dëshmitarëve.

Kështu u bë e ditur përmes një video-konference të Dhomave të Specializuara të Kosovës, ku u tha se gjykimi do të fillojë në orën 09:30.

Gjykimi i Mustafës do të vazhdojë të hënën e ardhshme në orën 09:30 me dëshminë e dëshmitarit të parë në këtë rast. Procedura gjyqësore në këtë rast do të vazhdojë gjatë muajve shtator e tetor dhe gjatë javës së ardhshme”, u tha gjatë video-konferencës.

Në këtë video-konference nuk u bë e ditur se çfarë lloj dëshmitarësh do të thirren në seancën e parë.

“Mund të them vetëm se është dëshmitari i Prokurorisë”, u tha në konferencë.

Ky gjykim ishte paraparë që të vazhdonte dje, por ishte anuluar pasi kjo seancë ishte caktuar vetëm në rast se do të nevojitej më shumë kohë për deklaratat hyrëse.

Mustafa është deklaruar i pafajshëm në seancën e mbajtur më 15 shtator, ndërsa gjykatën e ka quajtur “Zyrë të Gestapos”.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), shkruan Zëri.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt.

/Gazeta Sinjali/