image Dëshmitari i mbrojtjes së Mustafës: S’ka pasur njerëz të ndaluar në Zllash

Drejtësi

Dëshmitari i mbrojtjes së Mustafës: S’ka pasur njerëz të ndaluar në Zllash

news image

Ka përfunduar dëshminë e tij para trupit gjykues në Hagë, Selatin Krasniqi që është dëshmitari i 12-të i mbrojtjes së Salih Mustafës. Ai ka deklaruar se në objektet e familjes së tij në Zllash, të cilat i ishin dhënë në shfrytëzim Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk ka pasur persona të ndaluar siç thuhet në aktakuzën e prokurorisë. Ndër të tjera, dëshmitari ka thënë se gjatë periudhës së luftës nuk ka pasur dallime mes pjesëtarëve të UÇK-së duke shtuar se të gjithë vepronin për çlirimin e Kosovës.

Dëshmitari, i cili është pjesë e familjes Krasniqi nga Zllashi, pronat e së cilës gjatë periudhës së luftës iu ishin dhënë UÇK-së, ka deklaruar se askush nuk mund të thotë se në ato objekte janë maltretuar apo mbajtur njerëz.

“Nuk ka pasur njerëz të ndaluar, as nuk kam parë, as nuk ka pasur dhe nuk mund të thotë askush që ka pasur njerëz të ndaluar aty”, ka thënë Krasniqi.

Ai ka thënë se gjatë periudhës së luftës të gjithë pjesëtarët e UÇK-së e kanë pasur një qëllim të vetëm, çlirimin e Kosovës dhe sipas tij nuk ka pasur dallime partiake.

“Gjithë familja kemi qenë në Lidhjen Demokratike të Kosovës, gjithë fshati Zllash, krejt Gollaku. Shefki Gashi, që jemi krenarë që e kemi është i fshatit Mramor, ka qenë edhe ai pjesë e luftës, Ismet Beqirin e kam në lagje, edhe ai ka qenë një ndër themeluesit e LDK-së për atë pjesë, e ka pasur shumë të tjerë të LDK-së edhe aty dhe nuk ka pasur kurrfarë bindje, qëllimi ka qenë i njëjtë, me çliru Kosovën. Nuk e di kush është duke i shpik këto gjëra, se i vetmi çlirim ka qenë çlirimi i Kosovës, nuk ka pasur bindje politike, me cilën parti je, me kënd je, çka je. Nëse i keni mundësitë me i thirrë edhe ata dëshmitarë këtu, Shefkinë, Ismet Beqirin e shumë të tjerë, Alushin, të cilët kanë sjellë ndihma në shtëpinë tonë”, ka thënë dëshmitari.

Gjatë kundër-pyetjeve të avokatit të mbrojtjes, Krasniqi është pyetur edhe rreth takimit që ka zhvilluar në Zllash me përfaqësuesit e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

“Ka kërkuar me dalë në vendin ku po pretendojnë ata, kanë qenë tri makina, nuk e di sa vetë… Kur kam biseduar me prokurorin vetëm e kam pyetur qysh janë Salih Mustafa e këta tjerët që janë, Hashimi e të tjerët, vetëm për ata e kam pyetur, më shumë nuk kemi diskutuar. Nuk kam qëndru me këta hiç, kam qëndru te hambari se ka qenë duke rënë shi, këta kanë qëndru te pema që duket në fotografi, kanë fotografuar. Tjetër nuk kemi fol, kanë qenë shumë veta këta, kemi vazhduar të shkolla e Zllashit, edhe aty i kanë bërë disa fotografi”, ka thënë Krasniqi.

Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Krasniqi ka thënë se nuk e di se ku i ka marrë prokuroria informatat por sipas tij në objektet e familjes së tij asnjëherë nuk janë ndaluar apo meltretuar njerëz, raporton KP.

Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.

Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.

Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm.

/GazetaSinjali/