image Derisa lufta në Ukrainë vazhdon, rusët mbajnë zi për ushtarët e vrarë

Botë

Derisa lufta në Ukrainë vazhdon, rusët mbajnë zi për ushtarët e vrarë

news image

Rusia thotë se rreth 500 ushtarë të saj janë vrarë që kur sulmoi Ukrainën më 24 shkurt, ndërsa Ukraina pretendon se humbjet e Rusisë jan shumë më të mëdha.

Tani njoftimet e para të vdekjes po merren në Rusi për ushtarakët e vrarë në aksion në Ukrainë. Dhe me mbi 100,000 ushtarë rusë që besohet se janë tani në Ukrainë, shumë familje anembanë Rusisë janë duke pritur me shqetësim për lajme.

Varrezat këtu janë të mbuluara me borë dhe heshtje. Afër fundit të rrugicës qendrore, një varr i sapo gërmuar i mbështjellë me fletë plastike hapet nën një pemë.

Është varri i Maksim Khanygin, i lindur dhe rritur në këtë fshat në perëndim të qytetit të Saratovit të lumit Vollga.

Por, trupi i tij nuk është këtu dhe mund të mos vijë para se të përfundojë lufta e Rusisë në Ukrainë.

Khanygin vdiq në orët e para të nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt – një ditë para ditëlindjes së tij të 22-të.

“Të gjithë po pyesin, ‘Kur? Kur? Kur?'”, tha gjyshja e Khanygin, Natalya për Radion Evropa e Lirë, duke iu referuar planeve të funeralit.

“Por, ne nuk e dimë kur. Një përfaqësues ushtarak erdhi dhe tha se ata nuk do ta sjellin nipin tim në shtëpi derisa të përfundojë operacioni special”, tha ajo.

Operacion special është formulimi që përdorin autoritetet ruse – dhe po u bëjnë presion të gjithë rusëve që ta përdorin – për t’iu referuar luftës së paprovokuar që ka vrarë mijëra ushtarë dhe civilë ukrainas.

Gjatë tetë vjetëve të fundit apo më shumë, funeralet e ushtarëve dhe mercenarëve kanë tërhequr atë që për qeverinë e presidentit rus, Vladimir Putin, është një vëmendje e padëshiruar ndaj vdekjeve në luftërat në Siri dhe në Ukrainën lindore.

Te kjo e fundit, Moska pretendonte se kishte pasur trupa përpara pushtimit të ri, pavarësisht provave të shumta që dëshmojnë të kundërtën.

Pas përshkallëzimit të ri masiv, me forcat ruse që synonojnë qytete në pjesën më të madhe të Ukrainës, Qeveria nuk tha asgjë për viktimat ruse për ditë të tëra dhe më pas njoftoi më 2 mars se 498 ushtarë rusë ishin vrarë dhe 1,597 ishin plagosur.

Zyrtarët ukrainas kanë thënë se më shumë se 9,000 ushtarakë rusë janë vrarë ose plagosur në luftime. Këto shifra nuk është e mundur që të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Ekipi i Inteligjencës së Konflikteve (CIT), një grup monitorues me burim të hapur me bazë në Rusi, ka vlerësuar të vrarët e Rusisë në luftë rreth 700.

“Por, kjo nuk do të thotë se numri nuk është më i madh”, tha analisti i CIT Ruslan Leviyev.

“Mund të jetë 1,000 apo edhe 2,000”, tha ai.

Ukraina nuk ka dhënë shifra të viktimave për ushtrinë e saj, por shërbimi i saj i urgjencës tha më 2 mars se më shumë se 2,000 civilë janë vrarë që nga fillimi i pushtimit.

Lajmi për vdekjen e Khanygin erdhi në familjen e tij në Ozyornoye më 25 shkurt, kur kreu i zyrës ushtarake rajonale thirri nënën e tij, Lyudmila Khangyina.

“Gjatë ditës së premte, nipi im më i vogël, Fyodor, erdhi me vrap drejt meje dhe bërtiti: ‘Gjyshe, eja shpejt. Mamasë i ka rënë të fikët. Maksim ka vdekur!'”, tha Natalya.

Njoftimi me shkrim erdhi menjëherë më pas.

Të nesërmen, i gjithë fshati e kishte dëgjuar lajmin. Ata sollën para dhe lule dhe vendosën kurora nëpër qytet. Drejtori i fermës kolektive ku punon Lyudmila ndihmoi në sigurimin e një parcele varrimi dhe pagoi për të ngritur një kryq.

Raportimet për ushtarë të vrarë kanë filluar të grumbullohen ngadalë në Rusi.

Ilynur Sibratullin, një ushtar nga qyteti i Nizhnekamsk në Tatarstan, në veri të Saratovit në Vollgë, u vra në Ukrainë më 26 shkurt.

Një aeroplan që mbante trupin e tij mbërriti në Tatarstan më 2 mars dhe ai, sipas zakoneve myslimane, u varros të njëjtën ditë.

Më 3 mars, një grup veteranësh raportoi vdekjen e gjeneralmajor Andrei Sukhovetsky, në luftime pranë qytetit-port ukrainas të Mariupolit.

Ai ishte një nga oficerët luftarakë më të dekoruar dhe me përvojë të Rusisë.

Në të njëjtën ditë, guvernatori i Novosibirsk Oblast, Andrei Travnikov, konfirmoi vdekjen e dy ushtarëve të paidentifikuar nga rajoni i tij.

Më 2 mars, autoritetet lokale thanë në Instagram se 31-vjeçari Ali Batyrov, nga Batazhnoye në rajonin jugperëndimor të Astrakhan, u vra në Ukrainë, më 28 shkurt.

Ai mbante gradën major, ishte plagosur dhe dekoruar në Siri, ishte komandant batalioni dhe la pas gruan dhe fëmijë.

Të njëjtën ditë, zyrtarët në distriktin Selenginsky të Buryatia raportuan vdekjen në Ukrainë të togerit, Ilya Semyonov, i cili ishte gjithashtu veteran i luftës në Siri, ku Rusia u ka dhënë forcave qeveritare mbështetje thelbësore ushtarake që nga viti 2015.

Një ditë më parë, Guvernatori i Oblastit të Astrakhanit, Igor Babushkin, konfirmoi vdekjen në Ukrainë të një ushtari vendas të quajtur Arman Narynbayev.

Zyrtarët në republikat e Kaukazit të Veriut kanë konfirmuar gjithashtu vdekjen e dhjetëra ushtarakësh.

Galina Zinoviyeva jeton në fshatin Nizhny Ures, në Tatarstan.

Ajo nuk ka marrë asnjë lajm për djalin e saj ushtar, Maksim 21-vjeçar, që prej datës 28 janar, kur ai tha se kishte mbërritur në Bjellorusi për stërvitje.

Ai do të kthehej në bazën e tij në shtëpi më 20 shkurt – dita e fundit e planifikuar e stërvitjeve në Bjellorusi e cila shtrihet në veri të Ukrainës dhe ka qenë një terren për pushtimin rus.

“Jemi në një gjendje të pasigurisë”, tha ajo për Radion Evropa e Lirë.

“Ku është Maksimi tani, pse nuk telefonon?”, pyeti ajo.

/GazetaSinjali/