Partive politike në vend, të cilat do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, u kanë mbetur edhe pak kohë për t’i dorëzuar listat e tyre të kandidatëve për deputetë për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, shkruan Gazeta Sinjali.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se deri më tani për certifikim në këtë komision kanë aplikuar 13 subjekte politike.
“Jemi duke pritur aplikimin e subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit. Deri në këtë kohë kemi pranuar aplikimin e 13 subjekteve politike, pra nga 9 parti politike, 1 koalicion dhe 3 iniciativa qytetare, me gjithsej 276 kandidatë”, tha Elezi.
Në listën e partive që kanë dorëzuar listën e tyre zgjedhore mungojnë të gjitha partitë e mëdha, të cilat kanë kohë për një gjë të tillë deri në orën 18:00.