Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se është shpërfaqur se kush është prapa sabotimit të shtetit dhe se SBASHK-u nuk i përfaqëson mësimdhënësit.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku mbahej interpelanca për mosekzekutimin e pagave të mësimdhënësve, Murati tha se Thesari i ka marrë veprimet për ekzekutimin e pagave, por shtoi se deri në orën 15:00 të së premtes është pritur të dorëzohen listat.
Teksa kritikat e akuzat e deputetëve parafolës të opozitës, i quajti shantazhe.
“Mospagesa e pagave është pasojë e mungesës së punës, nuk është sanksion. Zbritjet e pagave nuk ngrenë probleme përputhshmërie me konventën. E kemi parë që sa e sa ditë japin ultimatum PDK, SBASHK, LDK dhe në fund kallëzimin e dorëzoi PDK-ja në vend të SBASHK-ut. Nga kjo grevë u pa kush ka qëndruar prapa këtij sabotimit të shtetit. U shpërfaq po ashtu fakti se mësimdhënësit nuk janë pyetur fare kur ka nisur greva. E vetmja herë kur u pyetën ishte për të vazhduar mësimin që votuan pro. U shpërfaq se SBASHK-u nuk i përfaqëson mësimdhënësit se kur e nisi grevën nuk ishte i gatshëm t’i kompensojë dhe tu dalë në ndihmë për hyrjen në grevë që u kërkua nga ta. Ne do t’i japim pagesat si paradhënie për orët qe do të kompensohen. Në lidhje me këtë Thesari i ka marrë të gjitha veprimet dhe sot deri në orën 3 është dashur të dorëzohen të gjitha listat. Sa i përket debatit mund të flasim tërë ditën, këso shantazhe nuk i ndihmojnë askujt as nuk janë mënyra të lavdishme drejt pushtetit”, tha Murati.