Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde e ka cilësuar si një lëvizje të duhur vendimin e kryeparlamentarit Glauk Konjufca për ta dërguar Projektligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës në Komisionin e Venecias.
Rohde i ka reaguar shefit të Zyres së BE-së, Tomas Szunyog në Twitter, i cili ka thënë se kjo është një levizje duhur.
Sipas ambasadorit gjerman, ndjekja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias të KiE-së do të sigurojë që ligji të jetë në sinkron me standardet evropiane.
Ndryshe Kuvendi ka njoftuar të dielën se Konjufca ka kërkuar opinion të tërësishëm mbi Projektligjin pasi Drafti është ndryshuar që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias.
“Në përputhje me përgjegjësitë e tij kushtetuese, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka dërguar për mendim në Komisionin e Venecias Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës. I njëjti është proceduar në Kuvend ditë më parë nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej në njoftim theksohet se duke qenë se drafti ka pësuar ndryshime që nga vlerësimi i Komisionit të Venecias, kryetari Konjufca ka kërkuar opinion për projektligjin në tërësi, duke e konsideruar si vendimtare në arritjen e objektivit për reformim të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe adresimit të shqetësimeve dhe çështjeve të ngritura më parë.
“Si shtet anëtar i Komisionit të Venecias, Kosova mbetet e përkushtuar ndaj respektimit të parimeve themelore të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.