Burri 35-vjeçar që u gjet i vdekur në një rrugë pranë ambasadës ruse në Berlin më 19 tetor, Shërbimet gjermane të sigurisë besojnë se ishte një agjent i fshehtë i shërbimit rus të inteligjencës, FSB, raportoi të premten revista gjermane, “Der Spiegel”.
Duke cituar burime të sigurisë, revista e njohur gjermane tha se burri kishte rënë nga një kat i sipërm i ambasadës, shkruan Reuters, përcjell Gazeta Sinjali.
Policia e Berlinit refuzoi të jepte ndonjë koment dhe të gjitha pyetjet i drejtoi te prokurorët publikë, të cilët nuk ishin menjëherë të qasshëm për koment.
Gjetja e një trupi afër misionit diplomatik rus nuk është raportuar më herët.
Burimet e sigurisë thanë për këtë revistë se mënyra se si ka rënë diplomati dhe çfarë e ka shkaktuar vdekjen e tij është e paqartë.
“Der Spiegel” raportoi se ambasada ruse nuk është pajtuar që trupit të 35-vjeçarit t’i bëhet autopsia.
Burri, identiteti i të cilit nuk është publikuar, zyrtarisht ishte sekretar i dytë i ambasadës. Ai kishte lidhje familjare me një zyrtar të lartë të drejtorisë së dytë të FSB-së, e cila merret me anti-terrorizëm.
“Der Spiegel” e citoi ambasadën ruse të ketë thënë se incidenti ishte një aksident tragjik për të cilin nuk do të komentojë për arsye etike.
Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë tha në një konferencë media të premten se qeveria gjermane është e vetëdijshme për vdekjen e një diplomati rus në Berlin, por se nuk mund të ofrojë ndonjë hollësi për këtë rast. /GazetaSinjali/