Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Rrezarta Krasniqi ia ka përmendur xhipat e zi kryeministrit Albin Kurti, duke i thënë se i ka harruar interesat e qytetarëve.
Krasniqi tha në Kuvend se Kurti kishte premtuar pagë minimale 350 euro, ndërsa theksoi se tani disa familjeve u është vështirësuar ekzistenca.
“Para se të vini në pushtet, keni premtuar pagë minimale 350 euro…. Tani kur u afrua koha e zgjedhjeve lokale, vendosët t’i ndani nga 100 euro shtesë, por kjo nuk ju kreu punë, sepse edhe xhipat e zi, të cilët nuk mundem pa i përmend, sepse i patët kritikuar shumë sa ishit në opozitë, ndërsa tash nuk leni vend pa shkuar me ta”, tha Krasniqi.
Ajo tha se kjo paraqitje nuk i kreu punë partisë në pushtet gjatë zgjedhjeve lokale.
“Por nuk ju kreu punë as ajo paraqitje, sepse qytetarët tashmë janë të bindur se ju i keni vendosur interesat personale mbi interesat e tyre”, tha Krasniqi.
“Nuk e di a jeni në dijeni ju si qeveri për rritjen e çmimeve. Është vështirësuar ekzistenca për shumë familje, sepse çmimet janë bërë të papërballueshme, marrë parasysh edhe të ardhurat që ata i kanë qoftë nga puna që e bëjnë në sektorin privat, ku paga minimale është 170 euro”, tha paraprakisht deputetja e LDK-së.