Deputetja e Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, njëherit kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Albena Reshitaj ka reaguar pasi Serbia hapi konkurs për mjekë dhe infermierë për Kosovë, shkruan Gazeta Sinjali.
Reshitaj ka kërkuar përgjigje nga ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, nëse ai kërkuar ndihmë nga Serbia për staf mjekësor.
Tutje, ajo thotë se Vitia duhet të përgjigjet se si do të punojnë ata punonjës shëndetësorë.
“Ministri Vitia duhet të informojë të gjithë qytetarët e vendit nëse ka kërkuar ndihmë nga Serbia për staf mjekësor dhe nese jo ai duhet të na njoftoj a janë të informuar për këtë veprim të Serbisë. Gjithashtu ai duhet të tregojë se si do të funksionojnë në Kosovë keta punonjës shëndetësorë nga shteti i Serbisë, a do të funksionojnë si punonjës në kuadër të sistemit shëndetësor të Kosovës apo si punonjës humanitar shëndetësor të ardhur nga Serbia”, ka shkruar Reshitaj në Facebook.
Reagimi i deputetës së AAK-së erdhi pas lajmit se e ashtuquajtura Zyra për Kosovën më 22 prill ka hapur konkurs në Gazetën Zyrtare të Serbisë për mjekë, infermierë dhe teknikë shëndetësorë për punë të përkohshme në Kosovë./Gazeta Sinjali/