Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albena
Reshitaj ka thënë se mbyllja totale e vendit nuk është zgjidhje as për
qytetarët e as për përgjegjësit shtetërorë.
“Kjo do të hendikeponte vendin, do të ulte edhe
zhvillimin ekonomik, do të thellonte edhe më shumë krizën. Mbyllja do të ishte
skenari i fundit i Qeverisë së Kosovës”, ka thënë Reshitaj.
Ajo ju ka bërë thirrje të gjitha institucioneve që të japin maksimumin dhe të bëjnë plane konkrete për tejkalimin e kësaj situate.
“Ne duhet ta implementojmë ligjin për pandeminë dhe të monitorojmë punën e përgjegjësve që duhet të zbatojnë ligjin”, ka thënë Reshitaj për RTK.
Sipas saj, Kosova është duke hyrë në një fazë më të rrezikshme, prandaj thirrja e saj ishte që qytetarët të zbatojnë masat duke filluar nga mbajtja e maskave, distanca dhe higjiena.
“Mos të tubohemi, mos të ketë grumbullime të shumë njerëzve”, përfundoi ajo. /Gazeta Sinjali/