Deputeti zviceran, Cédric Wermuth ka thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe NATO-s. Madje, mosliberalizimin e vizave ndaj Kosovës e sheh si njërin nga gabimin më të madh të Evropës.
Për herë të parë në vitin 2011 u zgjodh deputet në Parlamentin e Zvicrës.
E që nga ky vit Cédric Wermuth nuk i mungoi asnjëherë ulëses së këtij parlamenti.
Nga holli i tij, deputeti zviceran nuk harroi asnjëherë të tregojë përkrahjen për Kosovën.
Wermuth që është bashkëkryetar i Grupit të Miqësisë Zvicër-Kosovë në Parlamentin e Zvicrës, në një intervistë për RTV Dukagjini, ka thënë se Kosova duhet të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe NATO-s.
E që mbështetja e tij si deputet dhe e partisë së tij në parlamentin zviceran do të jetë e madhe.
“Hapi i parë që Kosova duhet të bëjë tani është që të jetë anëtare e Këshillit të Evropës dhe e ka përkrahjen tonë në këtë proces. Grupi ynë parlamentar tashmë është konsultuar me qeverinë zvicerane, ku mori mbështjetjen tonë në kërkesën e Kosovës për anëtarësim. Zvicra nuk është anëtarë e NATO-s, kështu që në këtë proces nuk mund të bëjmë shumë, por sigurisht që situata e sigurisë në rajon ka treguar që duhet të jenë pjesë e integrimit evropian dhe gjithashtu aleancës së sigurisë, NATO-s. Kjo do të hapte shumë prespektiven për Kosovën, mirëpo nuk mendoj që kjo mund të ndodhë shpejtë.”, ka thënë Cédric Wermuth në dukagjin.
Mosliberalizimin e vizave për Kosovën, deputeti zviceran e sheh si gabimin më të madh të Evropës karshi Kosovës.
Derisa, ai pret që tani pas rifillimit të dialogut, të shkohet drejt finalizimit të marrëveshjes dhe njohjes së shtetësisë së Kosovës nga Serbia.
“Mendoj se mosliberalizimi i vizave për Kosovën është një nga gabimet e mëdha që Evropa po bën karshi Kosovës, sepse kjo po detyron të rinjtë kosovarë që në rrugë legale dhe jolegale të lëshojnë Kosovën. Kosova ka të drejtën e vet për liberalizim të vizave. Fatkeqësisht Zvicra nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, por ne si grup parlamentar kemi kërkuar nga qeveria zvicerane të bejë pjesë të diskutim në Bruksel, Berlin, Paris për ta shtyrë përpara këtë proces”, shtoi ai.