image Deputeti i VV-së publikon fotografi nga vizita në Hagë, tregon për takimet me ish-krerët e UÇK-së

Kosovë

Deputeti i VV-së publikon fotografi nga vizita në Hagë, tregon për takimet me ish-krerët e UÇK-së

news image

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka njoftuar për takimet me ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët ndodhen në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Rrustemi përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se bashkë me ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputetët, Saranda Bogujevci e Erxhan Galushi, sot do të takojnë ish-zëdhënësin e UÇK-së dhe ish-kryeparlamentarin e Kosovës, Jakup Krasniqi dhe ish-nënkryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Nasim Haradinaj, raporton Gazeta Sinjali.

Ai ka treguar se dje kanë takuar edhe ish-kreun e OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ish-pjesëtarin e UÇK-së, Pjetër Shala dhe ish-drejtorin e operacioneve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së Rexhep Selimin.

Rrustemi e ka quajtur vizitën e delegacionit kosovar të rëndësishme dhe institucionale.

“Së bashku me Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetin Erxhan Galushi, gjatë vizitës Dhomave të Specializuara, dje takuam Hysni Gucatin, Pjetër Shalën dhe Rexhep Selimin, kurse sot, Jakup Krasniqin dhe Nasim Haradinajn.Ishte vizitë institucionale dhe e rëndësishme. Në këto takime u njoftuam për së afërmi me kërkesat, trajtimin dhe aspekte të tjera që ndërlidhen me Gjykatën”, ka shkruar ai.

Kujtojmë se për takim ministren Haxhiu e refuzoi ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli.

/GazetaSinjali/