Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, në Komisionin për Çështje të Sigurisë ka kërkuar nga drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, përjashtimin e policëve të cilët në vitin 2019 në Stacionin e Policisë në Gjakovë kishin ushtruar dhunë ndaj një qytetari, i cili ishte i prangosur.
Për këtë rast kishte raportuar ekskluzivisht Gazeta Sinjali, duke publikuar edhe videon e trajtimit çnjerëzor të qytetarit të prangosur në stacionin policor të Gjakovës.
Bajqinovci ka deklaruar se nuk duhet të ketë selektim të rasteve kur një polic përjashtohet nga puna në Prishtinë, e disa tjerë amnistohen në Gjakovë, duke kujtuar përjashtimin e Haris Kelmendit.
“Përmendet largimin e njerëzve të cilët janë të padisiplinuar dhe për këtë e përgëzoj edhe drejtorin. Mirëpo jeni duke punuar me standard të dyfishtë. Ishte largimi i policit Haris Kelmendi nga puna për shkak të shkeljeve, mirëpo e njëjta nuk po ndodh edhe me eprorët e Gjakovës të cilët e torturuan njeriun në stacionin policor dhe ata ende vazhdojnë të qëndrojnë në punë. Kur është puna për një polic ai largohet sa çel e mshel sytë. Por kisha pasur dëshirë që kjo të ndodh edhe me eprorët të cilët kanë bërë shkelje edhe më të rëndë”, ka thënë ai.
Kurse, drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, i cili ishte i pranishëm në këtë mbledhje ka deklaruar se asnjë zyrtar policor nuk do të kursehet nga masat.
Por thotë se këto raste janë duke u trajtuar edhe nga prokuroria edhe nga gjykatat.
“Nuk mendoj që është i amnistuar as rasti i Gjakovës dhe as të tjerët. Arsyeja pse ndoshta një rast ka ngecur ose tjetri ka ecur më shpejtë është për shkak se kemi hasur në numër të madh të lëndëve. Këto lëndë janë në gjykata dhe prokurori. Këto raste do të trajtohen dhe secili do të merr pjesën që i takon”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/