Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, insiston se nuk do ta lejojnë zëvendëskryeministrin e Kosovës, Driton Selmanaj, që të futet në Kuvendin e Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Krejt kjo, sipas tij, lidhet me deklaratat që Selmanaj i ka bërë rreth çështjes së personave të pagjetur.
Bajqinovci tha se Selmanaj e ka vendin në Beograd, e jo në Qeverinë e Kosovës.
“Ai njeri që u lodhë me punën e të pagjeturve e ka vendin në Beograd jo në Qeverinë e Kosovës…Nuk do ta lejojmë në Kuvend, ai nuk duhet ta marrë më fjalën në Kuvendin e Kosovës. Ai është zv/kryeministër, por me atë fjalor mund të jetë në qeverinë e Vuçiqit e jo këtu”, tha Bajqinovci në T7.
Sipas deputetit të VV-së, deklarata e zv/kryeministrit është e pafalshme, derisa shtoi se kjo çështje është shumë e ndjeshme për popullin e Kosovës, me të cilën nuk duhet të bëhet shaka.
Bajqinovci tha se nëse është lodhë Selmanaj le “të bëhet zv/kryeministër në qeverinë e Beogradit”.
“Ky njeri nuk e ka vendin këtu, sa më shpejt që të largohet ky person është aq më mirë për vendin”, shtoi ai./Gazeta Sinjali/