image Çeku: Çka ka mbetur pa i dhënë Kishës Ortodokse serbe

Kosovë

Çeku: Çka ka mbetur pa i dhënë Kishës Ortodokse serbe

news image

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka shprehur shqetësimin e partisë së tij për pikën që lidhet me kishat ortodokse, në marrëveshjen e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë në Washington.

Sipas tij, kjo pikë ka sjellë rrezik të ri, pasi që nuk është kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ani pse thotë se LVV-ja e kishte pyetur për të me qëllim për ta ndihmuar.

“Vazhdojmë me zbërthimin e dokumentit të Washingtonit, zotimeve te njëanshme të Hotit, për të shpalosur shqetësimin tonë lidhur me pikën e kishave ortodokse. Ne e patëm pyetur Hotin se cili është plani i tij për ta kundërshtuar këtë pikë, qëllimin tonë për të ndihmuar ai e ka konsideruar si hipotezë. Për fat të keq tani na ka sjellë një rrezik të ri që po e trason rrugën drejt eksterritorialitetit për kishat ortodokse në Kosovë”, tha Çeku para mediave.

Sipas deputetit të LVV-së, një gjë e tillë ka qenë e panevojshme, pasi që Kushtetuta dhe ligjet e Kosovë ofrojnë mbrojtje për liritë fetare dhe veçanërisht për monumentet ortodokse.

“Delegacioni i Kosovës ka shkuar atje pa përgatitje, këtë e dëshmojnë të gjitha pikat e marrëveshjes të cilat janë pa kërkesën e delegacionit kosovar. Ata kanë përfunduar duke i pranuar të gjitha kërkesat e Serbisë një ndër to edhe pika që lidhet me liritë fetare dhe mbrojtjen e kishave. Ne mendojmë se nuk ka pasë asnjë nevojë që për çështje të natyrës kushtetuese të trajtuara nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës të ketë diskutime ndërkombëtare e aq më pak para Serbisë”.

“Kishat ortodokse në Kosovë gëzojnë territorin e pronës së tyre, që janë të kodifikuara si në Kushtetutë ashtu edhe në ligjet e vendit, po ashtu ka edhe ligje të veçanta që sigurojnë paprekshmërinë e kishave dhe manastireve jo vetëm për pronën por edhe zonën për rreth”.

Çeku ka pyetur se çka ka mbetur pa i dhënë kishës ortodokse dhe nëse kjo pikë e marrëveshjes është paralajmërim për hapjen e planit të Ahtisarit.

“Kisha Ortodokse serbe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, për fat të keq kjo kishë kërkon zbatim të njëanshëm të Kushtetutës. Ajo çfarë ne parashtrojmë si pyetje është se çka ka mbetur pa i dhënë kishës ortodokse serbe, a është ky paralajmërim se po hapet plani i Ahtisarit. Hoti nuk po na tregon se cila ka qenë përgjigja që kanë dhënë në takime, e as çfarë do të jetë përgjigja në takimet e radhës sepse kjo temë do të jetë temë diskutimi në procesin e dialogut”, ka thënë Çeku në një konferencë për media./Gazeta Sinjali/