Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj i ka propozuar Qeverisë që të pezullojë për tre muaj pagesat e kësteve të kredive që qytetarët kanë në bankat e Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Selmanaj ka thënë se kjo masë do t’i ndihmonte qytetarët për blerjen e gjërave ushqimore gjatë kësaj periudhe.
“Të merret vendimi për pezullimin në afat 3 mujor i të gjitha pagesave/kësteve të kredive që qytetarët ua kanë borxh bankave komerciale në Kosovë. Kjo masë duhet të ndërmerret me qëllim që qytetarët sadopak të kenë rezerva financiare për blerjen e gjërave elementare ushqimore gjatë kësaj periudhe”, ka shkruar Selmanaj në Facebook.
Kujtojmë se sot ministri i Shëndetësisë ka konfirmuar dy rastet e para me koronavirus në Kosovë.
Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Qeverisë së Kosovës që është mbajtur sonte është marrë vendim që të mbyllen të gjitha kafeteritë, restorantet dhe qendrat tregtare./Gazeta Sinjali/