Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatmir Rexhepi, ka thënë se zgjidhja më e mirë për të dalë nga kriza do të ishte nëse Vjosa Osmani, e cila momentalisht është ushtruese e detyrës së Presidentes së Kosovës, të vazhdojë të mbetet në këtë pozitë.
Sipas tij, partitë duhet të ulen për të diskutuar dhe të vendosin që Osmani do të mbetet presidente.
Ai tha se vetë me shumë dëshirë do ta votonte Osmanin për këtë post.
“Ndoshta mund të jem shumë gabim, por po e jap një propozim për të dal prej krizës politike, le të ulën partitë të flasin dhe le të mbetet Vjosa Osmani si presidente e Kosovës. Vlerësimi im ndaj Vjosa Osmanit tregohet se me shumë dëshirë do e votoja atë për presidente të Kosovës”, tha Rexhepi.
Ai tutje tha se ka ardhur koha që kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, të lëshojë rrugë pasi që 10 vjet që është në krye të kësaj partie politike.
Osmani është presidente në detyrë nga 5 nëntori, pas dorëheqjes së Hashim Thaçit nga kjo pozitë.
Këtë postë, sipas nenit 90 të Kushtetutës së Kosovës, Vjosa Osmani, nuk mund ta ushtrojë më gjatë se 6 muaj./Gazeta Sinjali/