image Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli: Unë sot votoj kundër këtij mocioni

Kosovë

Politikë/ Deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli: Unë sot votoj kundër këtij mocioni

news image

Deputeti nga Radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, është deklaruar kundër mocionit të mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë Kurti, shkruan Gazeta Sinjali.

Avdyli e ka cilësuar këtë mocion si të nxituar dhe ka kërkuar që i njëjti të shtyhet.

“Për shkak të gjendjes së shkaktuar nga koronavirusi dhe gjendjes së paqartë politike në të cilën po hyjmë, mendoj që ky mocion është i nxitur dhe duhet të shtyhet. Para rrëzimit të qeverisë, para fatit personal të ndonjë politikani sot duhet ta vendosim fatin e 2 milionë qytetarëve, fatin e nënave dhe baballarëve tanë të cilët për momentin mund të jenë infektuar ose mund të infektohen nga pandemia. Sot duhet ta vendosim fatin e qindra dhe mijërave qytetarëve tonë që janë papunë dhe do të rrinë pa paga në shtëpitë e tyre. Prandaj, unë nuk dua që ky vend të bëjë salto mortale politike që ta rrëzojë një qeveri ku është edhe LDK-ja me ministra të suksesshëm të cilët kanë marrë edhe masa shumë të suksesshme për menaxhimin e pandemisë. Prandaj, mocioni duhet të shtyhet derisa të piqen kushtet demokratike e ato kushte demokratike janë edhe atëherë kur kemi mundësi për zgjedhje. Prandaj, unë sot votoj kundër mocionit dhe marr përgjegjësinë personale dhe politike”, ka thënë deputeti i LDK-së.

Avdyli po ashtu, tha se nuk e sheh formimin e një qeverie të re, nëse rrëzohet Qeveria Kurti, pasi, thotë ai, LDK-ja e ka një vendim që mos të bëjë koalicion me PDK-në. Kurse, një koalicion të mundshëm me AAK-në, ai e sheh të pamundshëm, pasi sipas tij nuk mund të rrëzohet një qeveri për mosheqjen e taksës e të futet në një qeveri që taksën e ka bazë të funksionimit.

“Unë nuk e shoh se si do të formohet një qeveri e ri, sepse ne si LDK i kemi disa vija të kuqe, i kemi marrë edhe në Këshillin e Përgjithshëm ku ne kemi vendos që kurrë nuk do të shkojmë me PDK-në. Nëse ne po duam ta rrëzojmë këtë qeveri dhe ta lëmë të funksionojë si qeveri në dorëheqje as kjo nuk po më duket e saktë e as e nevojshme. Ne e kemi një vendim e kemi dhënë edhe me fjalën tonë para çdo qytetari, në çdo fshat dhe në çdo lagje ne nuk do të bëjmë koalicion me PDK-në. Në anën tjetër me AAK-në dhe me Nismën nuk kemi vija të kuqe, e vërtetë është, por në këtë kontekst politik në të cilin po rrëzohet kjo qeveri, ne kemi dallime shumë të mëdha edhe programore edhe konceptuale, sepse kjo qeveri po rrëzohet për tarifën dhe ne po duhet të bëjmë koalicon e një parti e cila, bazën e funksionit të saj e ka tarifën. Kjo e bën të pamundshme rrëzimin e një qeverie për shkak të mosheqjes së taksës dhe të futemi në një qeveri për mbajtjen e taksës. Prandaj në cilën vijë do të jemi ne, në vijën e LDK-së apo AAK-së, sepse të dyja nuk shkojnë bashkë”, ka thënë Avdyli./Gazeta Sinjali/