image Deputeti gjerman: Mentaliteti shqiptar i përafërt me atë të BE-së - javën tjetër nisin negociatat

Shqipëri

Deputeti gjerman: Mentaliteti shqiptar i përafërt me atë të BE-së – javën tjetër nisin negociatat

news image

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla është duke mbajtur një konferencë për shtyp, me deputetin e Bundestagut gjerman, Adis Ahmetoviç.

Gjatë fjalës së tij, deputeti gjerman shprehu keqardhjen se BE kishte shansin tre javë më parë që t’i liberalizonte vizat Kosovës dhe t’i jepte një shtysë procesit integrues të Shqipërisë dhe RMV-së.

Megjithatë, Ahmetoviç shtoi se qeveria e re e Olaf Scholz do të punojë fort që Shqipëria të nisë negociatat me BE-në javën e ardhshme.

“Ne si qeveri e re e shohim Shqipërinë, si anëtar të BE. Para 3 javësh patëm një konferencë, duhet ta them që jam edhe vetë kritik. Kishim një shans historik t’i jepnim Kosovës liberalizimin e vizave dhe të ndihmonim Shqipërinë e RMV në rrugën e integrimit. Do punojmë që javën e ardhshme që Shqipëria të nisë negociatat…Keni edhe mbështetjen time personale për integrimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Ahmetoviç.

Deputeti i Bundestagut gjerman, njëherësh reporter për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, Adis Ahmetoviç kujtoi po ashtu se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë “bërë detyrat e tyre”, ndaj shtoi ai se edhe BE duhet të bëjë detyrat e saj për t’iu hapur dyert dy vendeve në  integrimin evropian.

Ahmetoviç, solli poashtu në vëmendje se ai vetë është me origjinë nga Ballkani Perëndimor dhe e njeh mentalitetin dhe situatën në këtë rajon.

E them dhe personalisht. Familja ime është me origjinë nga Ballkani Perëndimor, unë e njoh mentalitetin dhe mendoj se mentaliteti i Ballkanit Perëndimor është mentaliteti shqiptar, si dhe e gjitha kjo është shumë e përafërt me mentalitetin e BE. Mendoj se Shqipëria mund të sjellë shumë dinamikë në BE, ndaj dhe ju keni mbështetjen tonë. Më besoni që po punojmë fort për këtë”, tha ai.

Deputeti gjerman tregoi se pas një dite të gjatë në Shqipëri, ai do të vizitojë Maqedoninë e Veriut për të mbështetur qeverinë dhe për t’i bindur ata që të arrijnë një kompromis.

/GazetaSinjali/