Deputeti gjerman nga partia e kancelares Angela Merkel, CDU, Nikolas Lobel ka thënë se është koha që negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të përfundojnë.
Përmes një shkrimi në Twitter, Lobel ka thënë se vullneti i qytetarëve për ndryshim duhet të përkthehet në qeverisje efektive dhe demokratike, shkruan Gazeta Sinjali.
“Është koha që të përfundojnë negociatat për krijimin e qeverisë në Kosovë. Vullneti i njerëzve për ndryshim dhe demokracia që u shpreh në zgjedhjet e gjashtë tetorit të vitit të kaluar duhet të përkthehet në qeverisje efektive dhe demokratike, sundim të ligjit që siguron perspektivë evropiane për qytetarët kosovarë”, ka shkruar Lobel.
Më shumë se 3 muaj nga zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, LVV-ja dhe LDK-ja nuk po merren vesh për ndarjen e pozitave qeverisëse.
Porosia për krijim të shpejtë të institucioneve është përcjellë edhe nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ambasadori Philip Kosnett dje ka shkuar në selinë e LDK-së ku është takuar me kryetarin e kësaj partie, Isa Mustafën si dhe nënkryetarët Lufti Hazirin, Agim Veliun e Vjosa Osmanin. /Gazeta Sinjali/