Deputeti gjerman, Peter Beyer, i cili është edhe një prej njerëzve më të afërt të kancelares gjermane, Angela Merkel, duke folur për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ka deklaruar se ekziston vetëm një proces i dialogut të cilin e drejton Bashkimi Evropian (BE) dhe që dërgon procesin drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese.
“BE si e vetme është një partner serioz politik dhe ekonomik për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë ndër të tjera Beyer gjatë një fjalimi të mbajtur sot në parlamentin gjerman ku është diskutuar rreth vazhdimit të mandatit të KFOR-it gjerman në Kosovë.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi aktualisht gjendet në rrethana ende të paqarta.
Në njërën anë emisari i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, Richard Grenell, ka organizuar një takim në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, derisa sllovaku Mirosllav Lajçak, të cilit ia ka deleguar Borell punët rreth dialogut, gjendet në Kosovë për të përgatitur terrenin për bisedime në Bruksel./Gazeta Sinjali/