image Deputetët gjermanë: Pengesat për marrëveshjen LVV-LDK janë teknike, kjo javë vendimtare

Deklaratat/ Deputetët gjermanë: Pengesat për marrëveshjen LVV-LDK janë teknike, kjo javë vendimtare

news image

Dy deputetët e Bundestagut gjerman, Peter Beyer dhe Christian Schmidt, pas takimeve të mbajtura me LVV-në dhe LDK-në vlerësojnë se janë detajet teknike ato që momentalisht po e pamundësojnë një koalicion ndërmjet tyre.

Beyer u shpreh se dy partitë që po përpiqen ta bëjnë koalicionin qeverisës nuk duhet të humbin kohë me detaje teknike, por duhet t’i besojnë njëra-tjetrës. Për besimin, i të njëjtit mendim është edhe Schmidt, shkruan Gazeta Sinjali.

“Koha ka shumë rëndësi. 26 dhjetori ka vendosur një limit kohor. Ajo çfarë ne po bëjmë është që nuk po ndërhyjmë brenda negociatave të koalicionit, nuk është qëllimi ynë. Por erdhëm për të dëgjuar rreth bisedimeve që po bëhen. Një gjë që duhet kuptuar që negociatat për koalicion kanë mbërritur një pikë, që të gjithë duhet kuptuar që nuk duhet humbur kohë me detaje teknike. Duhet shikuar në sy njeri tjetrin, pasi që besimi është esenca. Duhet besuar njëri tjetrin dhe nuk duhet humbur në detaje teknike. Koalicioni ka ardhur në një pikë që ata nuk duhet të prishin këtë vullnet në detaje teknike”, ka thënë Beyer.

Nëse ka vullnet, sipas tij palët mund ta përfundojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“Nëse është ky vullnet politik mes dy partive për të formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës atëherë nuk duhet të ngecin në detaje teknike dhe duhet t’i besojnë njëra tjetrës. Thirrni njëra tjetrën caktojeni një datë të bisedimeve dhe përfundoni marrëveshjen e koalicionit”, ka shtuar tutje Beyer.

Në anën tjetër, deputeti Christian Schmidt vlerëson se kjo javë është vendimtare për Kosovën.

“Ne pas zgjedhjeve parlamentare që u mbajtën në Kosovë, mendojmë se kjo është java vendimtare për vendin tuaj, pikërisht për faktin se periudha të cilën po e nisim tani, është e rëndësishme edhe për krijimin e qeverisë”, ka thënë Schmidt.

“Në këtë rast nuk është e thënë që të krijohet një martesë dashurie”, është shprehur ai.

Beyer dhe Schmidt janë takuar mbrëmë me përfaqësues të LVV-së, ndërsa sot në mëngjes kanë zhvilluar një takim edhe me përfaqësues të LDK-së. /Gazeta Sinjali/