image Deputetët dhe partitë që dolën kundër martesave mes gjinisë së njëjtë

Politikë

Deputetët dhe partitë që dolën kundër martesave mes gjinisë së njëjtë

news image

Disa parti e deputetët të Kuvendit të Kosovës janë deklaruar kundër martesave të gjinisë së njëjtë.

Nesër në Kuvend pritet të diskutohet neni që lejon martesat e gjinisë së njëjtë në Kodin Civil, mirëpo një gjë e tillë siç duket nuk do të përkrahet nga të gjithë.

Gjatë ditës së sotme kundër këtij neni doli Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu ka njoftuar Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri.

“Si përfaqësues të popullit dhe pas kërkesave të shumta që kemi marrë nga elektorati ynë, miratimi i një baze të tillë ligjore, vlerësohet i parakohshëm”, ka shkruar ai.

Kundër doli edhe partia Turke KDTP pjesë e Koalicionit të Qeverisë.

Ata thonë se ky është një opinion kundër vlerave të shenjta dhe fetare të shoqërisë sonë dhe nuk i përket vlerave, kulturës, traditave dhe zakoneve tona familjare.

Në anën tjetër, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka njoftuar se do të votojë kundër Projekt Kodit Civil i cili u jep hapësirë martesave mes gjinisë së njëjtë.

Lushtaku përmes një shkrimi në Facebook tha se ai është kundër për arsye se është pro familjes.

Ai thotë se kjo, bie ndesh me ideologjinë politike që ai ndjek dhe me bindjet e tij personale.

“Shumë shtete evropiane kanë ruajtur vlerat tradicionale të familjes së shëndoshë, po ashtu edhe vendet e rajonit. Madje edhe kancelarja Merkel kishte votuar kundër martesave mes gjinisë së njejtë sepse siç e kishte theksuar ajo martesa është mes burrit edhe gruas”.

Ngjashëm ka deklaruar edhe deputetja në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje e cila ka njoftuar se është kundër ligjit që lejon martesat brenda gjinisë së njëjtë. Përmes një postimi në Facebook, Balje thotë se nuk mund të del kundër fesë të cilës i përket.

Por, kundër asaj i doli Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, e cila ka kërkuar dorëheqjen e deputetes.

Demolli ka kërkuar nga institucionet, partitë dhe organizatat tjera që të reagojnë ndaj deklaratës së Balje.

Kurse, lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli ka reaguar pasi Demolli, kërkoi dorëheqjen e deputetes Duda Balje nga Grupi Parlamentar për të Drejtat e Njeriut në Kuvendin e Kosovës ku ajo është kryetare.

Pacolli tha se propozimi i Demollit për shkarkimin e Balje ishte i pavend dhe i nxituar.

Një gjë të tillë e kanë kundërshtuar edhe Bashkësia Islame, Kisha Katolike, Kisha Protestane Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike e Kosovës.

“Bashkësitë fetare të Kosovës mbesin të bashkuara dhe me një zë të vetëm para ligjvënësve të Kuvendit të Kosovës, para qeverisë dhe institucioneve të tjera, që të heqin dorë prej çdo ndryshimi, prej çdo ripërkufizimi, prej çdo riinterpretimi të neneve për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve në vendin tonë”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

/GazetaSinjali/