image Ngritet aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Brezovica 1”, në mesin e tyre një ish-deputet

Siguri

Ngritet aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Brezovica 1”, në mesin e tyre një ish-deputet

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave të pandehur në rastin “Brezovica 1”.

Sipas prokurorisë, i pandehuri B.N., si person zyrtar, kryetar i komunës së Shtërpcës, ka keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mundësuar dhënien e lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar “Sharri”, në zonën e dytë dhe të tretë të vikend zonës në Brezovicë.

Në këtë rast, i pandehuri B.N, ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit” dhe “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Për të njëjtat vepra penale akuzohet edhe i pandehuri D.R, i cili në vitin 2016 dyshohet se në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë së Urbanizmit në Shtërpcë, ka keqpërdorur detyrat zyrtare dhe akuzohet për “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autorizimit”, “marrja e ryshfeti” dhe “mbajtja në pronësi për kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Për të pandehurit D.R., H.B., dhe D.M.,- ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2013 deri me 21 Dhjetor 2021,në bashkëveprim, si persona zyrtar, i pandehuri i parë drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, kurse i pandehuri i dytë dhe i tretë  si inspektor komunal të ndërtimit në Drejtorinë e Urbanizmit-tani Drejtoria e Inspektoratit në Komunën e Shtërpcës, nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare. Me këtë kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare apo autorizimit” nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së. Po ashtu, ndaj të njëjtëve ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer në bashkëkryerje edhe veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 par.3 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë, transmeton Klankosova.tv.

Për veprën penale “marrja e ryshfetit” akuzohet edhe një ish-deputet i cili nga fillimi i vitit 2010 deri në fund të vitit 2014 edhe si shef i Drejtorisë së Kadastrit në komunën e Shtërpcës, në mënyrë të drejtpërdrejt ka kërkuar dhe pranuar a para.

“Sipas Prokurorisë, për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprat penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.1 të KPRK-së dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga nen 366 par.1 të KPRK-ës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “mbajtja në pronësi, kontrollë ose posedim të paautorizuar të armëve”, dyshohet se i kreu edhe i pandehuri A.Ç., gjatë vitit 2016 dhe 2017 në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm në ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrolle ose në posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.

Tutje, prokuroria aktakuzë ka ngritur edhe për të pandehurin B.H., pasi dyshohet se nga viti 2013 deri më 20 dhjetor 2021, në cilësinë e kryeinspektorit në MMPH, nuk i ka ndaluar ndërtimet e vikend-shtëpive dhe objektëve hoteliere në Parkun Kombëtar “Sharri”, edhe pse ishte në dijeni se ndërtimet po bëheshin pa pëlqime mjedisore.

“Me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 par. 1 të lidhur me par.2 nënpar.2.2 KPRK-së. Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”  nga neni 414 par 1 të KPRK-së”.

Aktakuzë është ngritur edhe për të pandehurin M.H., pasi dyshohet se nga fillimi i vitit 2013 deri në fund të vitit 2020, si shef i departamentit për Mbrojtje të Mjedisit dhe Ujërave në MMPH, nuk ka përmbushur detyrën zyrtare dhe ka kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autorizimit”.

“Për të pandehurin H.A., ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga fillimi i vitit 2014 deri  2016, si person fizik, në mënyrë të terthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare, ,e këtë ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK. Për të njëjtin, ekziston dyshimi i bazuar mirë se ka kryer edhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-së”.

/GazetaSinjali/