Merita Aliu, njëra nga gratë e kthyera nga Siria në Kosovë, është shpallur fajtore për organizim dhe pjesmarrje në grupe terroriste.
Ajo është dënuar me 2 vjet e gjysmë burgim me kusht.
Në deklarimin e saj, Merita ka thënë se është penduar për të kaluarën e saj në Siri.
“Jam penduar shumë “, ka thënë ajo në gjykatë.
Ky pranim i fajësisë nga ana e saj ka bërë që seanca për këtë rast të jetë e shkurtër.
Sipas të akuzuarës ajo e ka kuptuar që ka gabuar. “Me mujt kohën me kthy kurrë nuk e kisha përsëritur”, ka deklaruar ajo para gjyqtarit të departamentit special, Valon Kurtaj, raporton Koha Ditore.
Prokurori special, Naim Abazi ka thënë se pajtohet me pranimin e fajësisë dhe sipas tij është në përputhje me Kodin e Procedurës Penale.
Abazi ka thënë se e akuzuara ka qenë bashkëpunuese me prokurorinë gjatë gjitha fazave të hetimit. Avokatja e Aliut, Leonora Dervishaj Pacolli ka kërkuar nga gjyqtari I çështjes që t’i merr parasysh rrethanat lehtësuese.
Ka thënë se është nënë vetushqyese, e dy vajzave të mitura, e njëra nga to është e sëmurë.
“Propozoj një dënim me të butë, dënim me kusht”, ka thënë ajo.