Bardhyl Ajazi është dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe 500 euro gjobë pasi e ka pranuar fajësinë se më 2015, vuri në lajthitje të dëmtuarën Qamile Ismaili, me ç’rast banesën e njëjtë ia kishte shitur dy personave të ndryshëm, ku të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 20 mijë euro.
Aktgjykimin e shpalli sot gjykatësi Adnan Kamberi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjykatësi Kamberi njoftoi se të akuzuarit Ajazi nuk do t’i ekzekutohet dënimi më burg, nëse i njëjti nuk do të kryejë vepra të tjera penale në periudhën verifikuese prej dy viteve.
Ndaj Ajazi është shqiptuar edhe dënimi me gjobë në shumë prej 500 euro, e cila duhet të paguhet në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Sipas aktgjykimit, Ajazi obligohet që në emër të kompensimit të dëmit të dëmtuarës Ismaili të ia kthej shumën prej 20 mijë euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 20 tetor 2021, i akuzuari ka pranuar fajësinë për veprën penale e cila i vihet në barrë.
Aktakuza e ngritur në nëntor të vitit 2019, ngarkon Bardhyl Ajazin se në qershor të 2013-ës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka vënë në lajthitje të dëmtuarën Qamile Ismaili, duke lidhur kontratë për t’i shitur banesën e cila ishte në ndërtim e sipër në rrugën “Dardania” në Fushë Kosovë.
Për këtë, Bardhyl Ajazi po akuzohet për veprën penale “Mashtrim” vepër e cila është e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet, sipas Kodit që ishte në fuqi në kohën kur është kryer vepra penale, raporton Betimi për Drejtësi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/