Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me 8 vjet burgim dhe 1 mijë euro gjobë të akuzuarin me inicialet F.R, për veprën penale “grabitje” dhe “vjedhje e rëndë”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës, i pandeuhri me datë 15 nëntor të vitit të kaluar, rreth orës 22:10, në barnatoren “Rana” në rrugën “Avdullah Tahiri” në Gjilan, me anë të përdorimit të forcës dhe kanosjes serioze, nën kërcënimin e armës (pistoletë lodër dhe një thikë kuzhine), ka detyruar dy shitëset që t’ia japin paratë që kanë poseduar në arkën e barnatores, me ç’rast ka përvetësuar 280 Euro.
Po ashtu, i pandehuri me datë 11 nëntor 2019, rreth orës 20:00, në rrugën “7 shtatori” në barnatoren “Green Pharmacy” me anë të përdorimit të forcës dhe kërcënimit të armës merr nga shitësja shumën e parave në vlerë prej 140 Euro.
Me këto veprime, Gjykata konstaton se i pandehuri ka kryer veprat penale “grabitje” nga neni 317 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Gjithashtu i akuzuari me datë 19.10.2019, rreth orës 21:00, në rrugën “Besim Bokshi” në shtëpinë e të dëmtuarit B. M., përdor forcën, hap derën e shtëpisë, duke marr një televizor plazma të markës “Feugo”, po ashtu me datë 13.10.2019, rreth orës 21:00, në rrugën “Nexhat Orana” në shtëpinë e të dëmtuarit S. E., gjithashtu merr një televizor të markës “Sony””, thuhet në komunikatën e Gjykatës Themelore në Gjilan.
Për këtë rast, ai akuzohet se ka kryer dy vepra penale “vjedhje e rëndë” nga neni 315 paragrafi 1, pika 1.1 të KPRK-së.
Kryetari i trupit gjykues Zyhdi Haziri, për secilën vepër të akuzuarin e ka gjykuar me nga 3 vite burgim dhe 250 euro gjobë.
“Mirëpo, konform neni 76 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pika 2.3, thotë nëse gjykata e ka shqiptuar dënimin me burgim prej tri (3) vjet për secilën nga veprat penale, dënimi unik me burgim nuk mund të jetë më i lartë se tetë (8) vjet”,njofton Gjykata.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit./Gazeta Sinjali/